Kurti e falënderon Bettelin për mbështetjen e Luksemburgut ndaj Kosovës në rrugën drejt integrimeve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin, njëherë ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel.

Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për ndihmën dhe mbështetjen që sipas tij, Luksemburgu ia ka dhënë Kosovës përgjatë viteve në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit por edhe për kontributin në sektorin e sigurisë përmes KFOR-it dhe EULEX-it.

“E vlerësojmë shumë mbështetjen në fushën e shëndetësisë, sundimit të ligjit dhe administratës publike. Ndihma nga Luksemburgu për Kosovën është lart mbi mesataren e shteteve të BE-së në raport me territorin dhe numrin e popullsisë së saj. Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen edhe kontributin tuaj”, tha Kurti.

Tutje, në njoftim u tha se listës së bashkëpunimit mes Kosovës dhe Luksemburgut i është shtuar edhe një Memorandum i Mirëkuptimit, i cili u nënshkrua dje dhe përbëhet nga fy done për mbështetje për sektorin privat, në vlerë mbi 35 milionë euro.

“Ata gjithashtu diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare që viteve të fundit kanë shënuar një trend të rritjes dhe mundësitë për investime. Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri veçoi fushën e teknologjisë dhe të energjisë si sektorë me potencial të madh të vendit tonë dhe pozitën e përshtatshme gjeografike, sistemin tatimor, fuqinë punëtore profesionale dhe shumëgjuhëshe, progresin demokratik dhe stabilitetin institucional si përparësitë që ofron Kosova”.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e palëkundur të Luksemburgut në anëtarësimin e vendit tonë në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe për kontributin e vlefshëm të Agjencisë Zhvillimore LuxDev. Ai po ashtu përgëzoi zëvendëskryeministrin Bettel për përurimin e objektit të ri të ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, i cili u inaugurua mbrëmë, duke e cilësuar atë si dëshmi e raporteve tona të forta dhe infrastrukturë për t’i thelluar edhe më shumë ato”, thuhet në njoftim.

Ky ishte takimi tretë mes Kurtit dhe Bettel në dy vitet e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.