Bislimi: Këta janë pesë emra, që janë në radarin e Trump për postin e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka shkruar për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndikimin që rezultati i zgjedhjeve do ta ketë për Kosovën dhe shqiptarët.

Shqiptarët janë kurioz të dinë se kush do të jetë kryediplomati i ri i SHBA-ve.

Bislimi ka thënë se ende nuk dihet, por sipas tij në radarin e Trump deri tani janë pesë emra për atë post.

Richard Grenell, Bill Hagerty, Robert O’Brien, Marco Rubio dhe Mike Walz.

Shkrimi i plotë:

Kush do jetë kryediplomati i ri i SHBA-ve?

Kam marrë shumë kërkesa e pyetje nga mediat për të komentuar domethënjen e fitores së Trump për Kosovën dhe për atë se kush pritet të pasojë z. Blinken në pozitën e Sekretarit të Shetit.

Në pamundësi t’iu pergjigjem secilit direkt, po ndaj me të gjithë atë që dihet ose përflitet tani për tani (ngase kuptohet se deri në janar e shkurt 2025 kur do bëhet përzgjedhja e kabinetit të Trump, shumë e uji kalon nën urë!).

Jo vetëm për shqiptarët, e në vecanti Kosovën, por për të gjithë Evropën e botën, ajo që pritet paksa me ankth tanimë, pas fitores së z. Trump, është se kush do të ketë fatin të përzgjidhet nga ish-Presidenti e tanimë i zgjedhuri President Trump në postin e kryediplomatit të SHBA-ve.

Gjerësa në Kosovë mund të ketë ndjenja të ndryshme sidomos rreth një emri potencial që njihet kogja mirë për publikun tek ne, ajo që duhet pasur parasysh është që diplomacia amerikane asnjëherë nuk është zhvilluar në bazë të preferencave personale të ndonjë zyrtari amerikan. Realisht, është obligim yni si Kosovë që të arrijmë të bindim secilin zyrtar amerikan me faktet dhe argumentet që ne i kemi për të mirën e vendit tonë.

Dhe, ka vetëm një rrugë të sigurtë për të arritur këto qëllime tona shtetërore e kombëtare — ajo e angazhimit serioz e strategjik me të dyja taborret në Kongresin e SHBA-ve, gjë që duhet ta bëjmë bashkërisht. Motoja ime “Unitet në Dallime” tash ka kuptim më të fuqishëm se kurrë më parë. Kosova është një dhe e të gjithë neve. Në politikën e jashtme, sidomos, na duhet kohezion e përbashkim, përtej secilit interes personal, politik a partiak.

Burime nga kampi i z. Trump thojnë se ka të paktën pesë emra deri më tani, që janë në radarin e z. Trump për postin e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve (të dhëna këto të paraqitura edhe në disa media kryesore amerikane):

Ric Grenell – që në Administratën e parë të z. Trump ka shërbyer si Ambasador i SHBA-ve në Gjermani si dhe si ushtrues detyre i Drejtorit të Agjensisë Nacionale të Intelegjencës së SHBA-ve. Grenell vlerësohet si njëri nga njerzit më të besueshëm të Trump sa i përket politikës së jashtme. Trump atij i referohet si “my envoy,” apo “i dërguari im.” Grenell ka qenë po ashtu zyrtari i parë në historinë amerikane si një homoseksual i hapur që ka mbajtur një post në kabinetin presidencial. Ai njihet edhe për angazhimin e tij si i dërguar special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi. Grenell përflitet edhe për postin e Këshilltarit Nacional të Sigurisë në mandatin e rradhës të z. Trump.

Bill Hagerty – një veteran i administrates së George H. W. Bush, dhe një përkrahës i parezervë i lëvizjes MAGA brenda partisë republikane, si dhe Senator që njihet për kundërshtitë e tij të hapura ndaj Kinës. Ai iu bashkua MAGA-s qysh më 2016 dhe fitoi një reputacion të vecantë në sytë e Trump për shkak të qëndrimeve të tij të palëkundura për cështjen e kufirit dhe së fundi edhe për votimin e tij kundër paketës së ndihmave për Ukrainën, duke kërkuar që e njejta të kushtëzohej me cështjen e sigurimit të kufijëve të SHBA-ve.

Robert O’Brien – që ka shërbyer si Këshilltar Nacional i Sigurisë në administratën e parë të z. Trump, vlerësohet si njëri nga ish-Këshilltarët Nacional të Sigurisë të ish-Presidentit që arriti të mbajë një lidhje të vazhdueshme dhe të favorshme me z. Trump. Në contrast me Hagerty, O’Brien llogaritet si një zë pro-Ukrainës dhe si një përkrahës i fuqishëm i NATO-s brenda republikanëve.

Marco Rubio – Senatori nga Florida që nga një kundërshtar i Trump ishte kthyer në një përkrahës të tij, vlerësohet si një kandidat që do kalonte pa asnjë problem konfirimin për Sekretar Shteti nga Senati, pasi që ka një afinitet të vecantë për të siguruar edhe bashkëpunimin e demokratëve në Senat. Vlerësohet se pengesë për Sen. Rubio mund të jetë fakti që në sytë e Trump mund të shihet si jo mjaftueshëm i fuqishëm për të marrë rolin e kryediplomatit amerikan për shkak të qëndrimeve të tij më pak të favorshme ndaj NATO-s dhe Ukrainës, karshi atyre të vet z. Trump.

Mike Walz – kongresist nga Florida dhe veteran ushtarak, që arriti të kap vëmendjen e rrethit të afërt të z. Trump për shkak të qëndrimeve të tij të forta karshi ndihmës për Ukrainën duke insistuar në llogaridhënje dhe transparence të plotë për shpenzimet e fondeve të taksapaguesëve amerikanë, si dhe për shkak të kritikave të tij të ashpra ndaj tërheqjes jo mirë të planifikuar të SHBA-ve nga Afganistani nën administratën Biden. Favori i tij me z. Trump është edhe qëndrimi i tij kategorik kundër Kinës në mbrojtje të ekonomisë amerikane. Nëse jo Sekreter Shteti, emri i tij tanimë përfolet edhe për pozitën e Sekretarit të Mbrojtjes apo të drejtuesit të njërës nga agjensitë kryesore të intelegjencës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.