Durmishi: Aksidenti në Pestovë ka ndodhur në pjesën ku ka qenë i ndaluar komunikacioni

Një 21 vjeçar ka vdekur mbrëmë në një aksident trafiku në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.

Në lidhje me këtë ka reaguar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili i ka shprehur ngushëllime familjes.

Durmishi ka thënë se menjëherë pas rastit kanë kërkuar një raport nga mbikëqyrësi, e sipas tij të gjeturat nga raporti del se në rrugë ekziston sinjalistika e nevojshme dhe aksidenti ka ndodhur në pjesë e rrugës ku ka qenë i ndaluar komunikacioni.

“Sqarim në lidhje me aksidentin në Pestovë të Vushtrrisë. Së pari ju shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjarëve me rastin e humbjes së jetës së familjarit të tyre. Në projektin e rrugës Milloshevë – Mitrovicë përveç kontraktorit e kemi të angazhuar edhe një kompani konsulente e cila bënë mbikëqyrjen e punimeve dhe kujdesen për mbarëvajtjen e punimeve dhe për sigurinë në punishte. Menjëherë pas rastit kemi kërkuar një raport nga punëkryesi dhe kompania mbikëqyrëse. Në bazë të këtij raporti konstatohet se në rrugë ekziston sinjalistika e nevojshme dhe aksidenti ka ndodhur në pjesë e rrugës ku ka qenë i ndaluar komunikacioni”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se me rastin po merret Policia e Kosovës dhe po presin raportin zyrtar të tyre.

“Me këtë rast ftojmë policinë e Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me prioritet që sa më parë të zbardhen arsyet e aksidentit. Me këtë rast ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të lëvizin me kujdes në vendet ku zhvillohen punimet dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe sinjalistikën në vendëpunishte”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.