Gazetari Lirim Mehmetaj ka publikuar vendimin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes së cilit sivjet Kooperativës Bujqësore “Krusha” të Fahrije Hotit, i ishte refuzuar përkrahja për blerjen e linjave të makinerive për përpunimin dhe konservimin e perimeve. E njëjta Ministri, grant në vlerë prej 100 mijë euro i ka dhënë Blerim Pacollit, vëllaut të deputetes së VV’së, Fitore Pacollit, për ndërtimin e një stalle.
Në vendimin e publikuar që mban datën 1 korrik 2024, thuhet se refuzohet mbëshetetja financiare për Hotin, “sepse nuk i plotëson kushtet siç përcakton Udhëzimi Administrativ Nr.14/2023 për Masat dhe Kriteret e Përkrahjes për Zhvillim Rural për vitin 2023, të datës 19.10.2023”.
“Ajo aplikoi me kompaninë e saj të suksesshme dhe të dëshmuar, kurse vëllai i deputetes Pacolli kishte aplikuar pa pasur firmë fare. Derisa atë pushteti e njofton me 14 qershor që ka fituar grantin, Farije Hotit i shkon njoftimi me 1 korrik, se i është refuzuar kërkesa. Kriminalitet të tillë, poshtërsi të këtij lloji, perversitet kësi fare, unë kurrë s’kam pare”, ka shkruar Mehmetaj, teksa ka publikuar dy vendimet.
“Merrjau viktimave të luftës me kompani të suksesshme, e jepjau familjarëve të deputetëve të pushtetit pa kompani fare. Edhe sa do t’iu durojmë?”, ka shkruar tutje Mehmetaj.
Ndryshe, Ministri Faton Peci e ka pranuar mbrëmë së vëllait të Fitore Pacollit i është dhënë grant, derisa ka shkruar “Nëse opozita mendon se 438,000 votuesit e ndryshimit duhet të jenë të privuar nga të drejtat qytetare për të qenë përfitues të granteve dhe të punësimit, le ta harrojnë se mund të diktojnë vazhdimin e diskriminimit. Ndërsa forma e përfitimit të grantit dihet më së miri nga 1003 përfituesit aktualë.”.
Por, ka thënë se Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve.”