Oda Ekonomike e Kosovës nënshkruan marrëveshje me atë të Dubait

Oda Ekonomike e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Odën Ekonomike të Dubait.

Kjo u bë me ndërmjetësimin e Ambasadës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara, për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe të biznesit.

“Oda Ekonomike e Dubait dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të parë mundësi të reja biznesi midis Dubait dhe Kosovës. I nënshkruar nga z. Mohammad Ali Rashed Lootah, Kryetar i Odës Ekonomike të Dubait, dhe z. Lulzim Rafuna, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, kjo Marrëveshje do të hapë rrugën për rritjen e tregtisë, investimeve dhe partneriteteve strategjike”, shkruan në kumtesë.

Aty tutje thuhet se kryetari i OEK-ut Lulzim Rafuna theksoi se ky partneritet i ofron bizneseve të Kosovës një derë të rëndësishme drejt tregjeve globale, duke sjellë mundësi rritjeje për të dyja rajonet, raporton Klankosova.tv.

Nga ana tjetër kreu i Odës Ekonomike të Dubait tha se “Bashkëpunimi ynë me Kosovën reflekton përkushtimin e Dubait për të zgjeruar lidhjet me tregjet dinamike në zhvillim sikurse është Kosova”.

“Gjithashtu, shprehim mirënjohjen tonë të veçantë për Ambasadorin Xhabir Hamiti, Ambasador i Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, për mbështetjen dhe përkushtimin e tij të çmuar që bëri të mundur realizimin e kësaj Marrëveshe të Bashkëpunimit. Kontributi i tij ka qenë kyç në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në lehtësimin e bashkëpunimit ekonomik”, tha OEK-u.

“Kjo Marrëveshje përfshin nisma për të mbështetur hyrjen në treg, organizimin e misioneve tregtare dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen e përbashkët në ngjarjet kryesore të biznesit, duke hapur rrugë të reja për rritje dhe bashkëpunim ekonomik”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.