Abdixhiku: Koeficient 150 për mjekët e Kosovës dhe punësim të garantuar

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mbajtur në Pejë takimin me Departamentin e Shëndetësisë brenda kësaj partie.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij ka një plan më të guximshëm dhe shumë ambicioz për transformimin e sistemit shëndetësor.

“Duam ta ndërtojmë një Spital të Ri. Tërësisht të ri, në lokacion krejt të ri. Modern, të kohës, me qëllime për të siguruar e përballuar nevojat shëndetësore të popullsisë për 50 vitet e ardhshme. Qendra Klinike Universitare, këtu në Prishtinë, është ndërtuar në vitin 1964, dhe në gjithë papërshtatshmërinë e saj, ajo vazhdon të marrë invesitme meremetuese por asnjëherë të jetë në nivel me spitalet që rëndom i gjejmë në rajon”, tha Abdixhiku.

Ai tha se kanë ndarë 250 milionë euro për ndërtimin e spitalit të ri.

Abdixhiku tha se LDK parasheh edhe menaxhim ndërkombëtar të spitaleve tona, me qëllim të ndarjes, të menaxhmentit shëndetësor nga profesioni shëndetësor.

LDK po ashtu me programin politik “Rruga e Re”, parasheh sigurime shëndetësore 3.5% + 3.5%; digjitalizim i plotë i shëndetësisë dhe sistem informativ shëndetësor;

menaxhim ndërkombëtar i spitaleve,  150 milionë euro investime në pajisje të reja; si dhe koeficient 150 për stafin shëndetësor

Abdixhiku para ekspertëve shëndetësorë të LDK-së, foli edhe për ikjen e mjekëve nga Kosova.

“Për të adresuar këtë problem dhe për të ndihmuar në mbajtjen e mjekëve të rinj në vend, ne, përveç se do t’i rrisim pagat nëpërmjet koeficientit 150, do të garantojmë dhe punësimin brenda 6 muajve nga përfundimi i studimeve për të gjithë mjekët e rinj; gjersa, specializimi me pagë do të garantohet brenda dy viteve nga përfundimi i studimeve të tyre”, tha Abdixhiku.

Ai po ashtu tha se do të investojnë edhe në modernizimin dhe zhvillimin e 7 spitaleve rajonale ekzistuese, në mënyrë që të ofrojnë shërbime të plota të kujdesit dytësor për pacientët e rajoneve përkatëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published.