SHBA thotë se do ta mbështes dialogun: Ka shumë punë deri në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Emisari i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, nuk ka treguar nëse vendi i tij përkrah heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura më shumë se një vit më parë. Derisa ka marrë pjesë në njërin nga diskutimet në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Beograd, Troccaz ka kërkuar progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. E ambasadori i SHBA-së në Beograd, Chistopher Hill, nuk ka pranuar se Serbia e ka shkelur marrëveshjen me Kosovën

I dërguari i Posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, i është shmangur pyetjes në lidhje me heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, e ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, nuk ka pranuar se Serbia e ka shkelur marrëveshjen me Kosovën.

I pyetur nëse Franca përkrah heqjen e masave ndëshkuese të BE-së, Troccaz është shprehur se i është krijuar përshtypja se diskutimi në Konferencën e Sigurisë në Beograd, është duke u bërë vetëm për Kosovën dhe Serbinë.

Në fakt, atij të martën, në ditën e dytë të kësaj konference, iu bënë vetëm dy pyetje për çështjet që i prekin këto dy shtete.

Në këtë drejtim, ai u ndihmua edhe nga moderatori i diskutimit, ish-ushtruesi i detyrës së ndihmëssekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker.

“Kam përshtypjen që është panel… Ky nuk është një panel mes Francës, Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Troccaz.

Paraprakisht, emisari francez duke folur për dialogun Kosovë–Serbi, ka kërkuar që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

Ka thënë se marrëveshja e arritur vitin e shkuar është korniza, brenda së cilës duhet lëvizur para të dyja shtetet.

“Çfarë duhet të themi është që pikërisht siç e kam thënë më herët, për ne, qëllimi dhe përgjigjja për këto probleme është integrimi në BE. Ne duhet të kemi progres në dialog brenda kësaj kornize, të lehtësuar nga BE-ja. E dyta, duhet që të përmbahemi nga çfarëdo mase e njëanshme dhe e treta, është që duhet sigurisht të ndihmojmë të dyja palët që të gjejnë mënyrat për një marrëveshje të një zgjidhjeje që nuk është e lehtë. Por kjo është çfarë kemi e ku jemi, ne nuk duhet të largohemi nga kjo rrugë e nga kjo kornizë. Kjo është përgjigjja kryesore”, është shprehur ai.

E ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, nuk ka pranuar se Serbia ka shkelur marrëveshjen e dakorduar një vit më parë.

I pyetur gjatë Konferencës së Sigurisë në Beograd, të martën, për qëndrimin e tij në lidhje me shkeljet nga ana e Serbisë, Hill ka thënë se procesi është shumë më kompleks se sa që është duke u paraqitur.

“Nuk jam i sigurt nëse do të pajtohesha me karakterizimin tënd të çështjes. Mendoj që është shumë më komplekse dhe çfarë unë di është se duhet të lëvizim drejt normalizimit dhe propozimeve të ndryshme që z. Lajçak ka ekspozuar dhe mendoj që ato duhet të ndiqen”, ka thënë Hill.

“Nuk mund të pajtohem me karakterizimin që vendosët para. Nuk do të pajtohem me formulimin tuaj të situatës. Mendoj që duhet të kuptosh se ky është një proces kompleks që përfshin detyrime për të dyja palët që duhet sekuencuar”.

Ambasadori amerikan ka shtuar se mbështetja e SHBA-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja do të vazhdojë, teksa ka theksuar se ka ende shumë punë deri në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Mendoj që të gjithë janë në favor të përkrahjes për dialogun e Bashkimit Evropian dhe është shumë e rëndësishme që të ecet me këto procese përpara dhe të krijohen kushtet për normalizimin e marrëdhënieve, por qartazi që ka shumë punë që duhet bërë, por është diçka që do të arrijë këtë administratë dhe administratën tjetër se nuk do të kryhet menjëherë. Kështu që ka nevojë të bëhet shumë punë në drejtim që të arrihet deri te faza e marrëdhënieve të normalizuara mes Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Hill.

Ai ka kërkuar që të ecet para me zbatimin e marrëveshjes së dakorduar, pasi siç ka thënë, tashmë janë humbur disa momentume.

Kosova dhe Serbia, në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel e më pas edhe në mars në Ohër, janë marrë vesh për marrëveshjen drejt rrugës së normalizimit të marrëdhënieve.

Derisa Serbia insiston në zbatimin e vetëm një pike të kësaj marrëveshjeje, asaj për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova kërkon nënshkrimin dhe zbatimin e plotë të saj.

Konferenca e Sigurisë në Beograd ka nisur të hënën e do të përfundojë të mërkurën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.