Zhvillimet e fundit nga Dhomat e Specializuara, vjen reagimi nga PDK-ja

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit që lidhen me veprimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

PDK thekson rëndësinë e ruajtjes së standardeve më të larta të drejtësisë dhe të paanshmërisë si kushte të domosdoshme për një proces të drejtë dhe të besueshëm nga Dhomat e Specializuara dhe jo për të krijuar spektakle publike në emër të saj.

“Çdo devijim nga ky mandat, përmes veprimeve që mund të minojnë besimin e qytetarëve dhe integritetin e drejtësisë, konsiderojmë se është i gabuar. Është thelbësore që të gjitha proceset e zhvilluara nga Dhomat e Specializuara të jenë të bazuara në transparencë të plotë dhe pa tejkaluar kompetencat”, thekson PDK.

Kuvendi i Kosovës ka themeluar Dhomat e Specializuara me një mandat specifik dhe të kufizuar, për të trajtuar akuzat monstruoze të raportit të Dick Martyt.

“Si PDK, shprehim shqetësimin tonë në lidhje me vonesat e gjata dhe mungesën e transparencës në proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë”, thekson tutje PDK.

 

PDK rikujton se ka mbështetur krijimin e kësaj gjykate, me besimin dhe garancitë e dhëna nga aleatët tanë se do të funksionojë mbi parime të qarta të transparencës dhe demokracisë, por parashtresat e fundit nga mbrojtja e katër të akuzuarve në këtë proces kanë ngritur shqetësime serioze për trajtimin jo të drejtë, me brenga për shkeljen e parimit të barazisë dhe prezumimit të pafajësisë.

PDK me këtë rast apelon që Dhomat e Specializuara të përmbushin detyrën me profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar parimet themelore të drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke kryer operacione në lidhje me hetimet për vepra penale kundër pengimit të drejtësisë. Më herët, Faton Klinaku nga OVLUÇK njoftoi se janë arrestuar tre persona, përfshirë ish-shefin e AKI-së Bashkim Smakaj dhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj.

ZPS-ja tha se operacionet janë autorizuar “nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe janë mbështetur nga EULEX-i.

Leave a Reply

Your email address will not be published.