Edhe pse kanë mbetur vetëm edhe 5 ditë deri në përfundimin e afatit, asnjë subjekt politik nuk ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe as listën me emrat e kandidatëve për deputet.
Afati zyrtar i caktuar nga KQZ-ja do të përfundojë të mërkurën e javës së ardhshme, më 11 dhjetor, në orën 16:00.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky afat nuk do të ndryshohet.
Elezi: 11 dhjetori, afati i fundit për aplikim
“Deri më 11 dhjetor 2024, në orën 16:00, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më 1 shtator, por mund t’iu konfirmoj se deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike”, tha Elezi.
Elezi ka treguar se afati i vendosur nga KQZ-ja është i mbështetur në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet.
Elezi: Afati për aplikim nuk mund të ndryshohet
“Është detyrim ligjor për subjektet politike që aplikimet e tyre për certifikim t’i dorëzojnë deri 60 ditë para zgjedhjeve. Pra, afati i fundit i vendosur nga KQZ-së për aplikim të subjekteve politike dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë është në përputhje me ligjin dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet”, ka thënë Elezi.
Ditë më parë KQZ ka bërë të ditur se me qëllim të lehtësimit të procesit të aplikimit, është funksionalizuar platforma elektronike https://certifikimi.kqz-ks.org/ e cila do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online për certifikim dhe të listës së kandidatëve për deputetë për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.