Policia e Kosovës e ka kujtuar Izet Demajn, zyrtarin policor, në përvjetorin e gjashtë të rënies së tij.
Në një postim në Facebook, policia bën të ditur se sot është organizuar ceremonia e vendosjes së luleve në pllakën përkujtimore kushtuar heroit tё Kosovёs, Izet Demaj.
“Pjesëmarrësit nderuan me respekt dhe mirënjohje veprën heroike të policit Izet Demaj, i cili dha jetën për të mbrojtur sigurinë dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës. Ky përvjetor shërben si kujtesë për sakrificën dhe përkushtimin e tij të pashoq në shërbim të vendit dhe komunitetit”.
“Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kontribuuan me pjesëmarrjen në këtë ceremoni përkujtimore”, thuhet në njoftim.
Në këtë aktivitet përkujtimor morën pjesë kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, drejtori i Drejtorisё Rajonale tё Policisё në Pejё, Kolonel Shaban Shala, bashkëluftëtarë të policit Izet Demaj, familjarë të tij, si dhe një numër i madh qytetarësh.