Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën mëngjesin e sotëm, ku 33-vjeçari Ramazan Mataj u ekzekutua me armë zjarri brenda makinës në zonën e Dragoçit.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 7:15 të mëngjesit të sotëm. Viktima është qëlluar me automatik kallashnikov duke mbetur i vdekur në vend.
Mësohet se një prej fqinjëve ka dëgjuar të shtënat mbrëmë, por për shkak se afër ndodhet një lokal dasmash ka menduar se bëhet fjalë për të shtëna nga dasmorët, duke e mos e ditur se bëhet fjalë për një vrasje.
Në orët e mëngjesit rastësisht banorët e zonës konstatuan viktimën brenda automjetit të vrarë me armë zjarri.
Kanë qenë banorët që kanë parë personin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje.
Mësohet se Ramzan Mataj, ishte kthyer nga Belgjika ku kishte jetuar për rreth 1 vit.
Një nga pistat e mundshme që po heton policia lidhet me ndonjë konflikt jashtë vendit, si një mundësi për arsyen e atentatit.
Në deklaratën e parë për policinë, babai i viktimës, Fatmir Mataj, thotë se nuk e di arsyen e vrasjes dhe se djali i tij nuk ka patur asnjë problem apo konflikt me persona të tjerë.
“Nuk e di arsyen e vrasjes. Djali im nuk ka patur asnjë problem me persona të tjerë dhe asnjë konflikt. Ne nuk jemi në dijeni të asnjë konflikti. Djali im është rritur pa bukë dhe me shume vështirësi. Nuk ka qenë aspak person problematik.Në orën 22:00 kam folur për herë të fundit me djalin dhe nuk më shprehu asnjë shqetësim. Jemi të tronditur dhe kërkojmë të zbardhet ngjarja.”, u shpreh Mataj, i cili kërkon zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.