Diskutimet mbi listat e votuesve kanë ngritur shqetësime për numrin e lartë të votuesve krahasuar me popullsinë rezidente në Kosovë.
Florian Dushi, ish-anëtar i KQZ-së, shpjegon se ky fenomen vjen si rezultat i dallimeve mes regjistrimit të popullsisë rezidente dhe listës së votuesve, e cila bazohet në regjistrin civil shtetëror.
Kjo listë përfshin të gjithë qytetarët me shtetësi kosovare, përfshirë ata që jetojnë jashtë vendit.
Dushi thekson se listat kanë mbetur të papastruara për vite, për shkak të mungesës së koordinimit mes KQZ-së, regjistrit civil dhe institucioneve tjera.
Madje, rastet e vdekjeve në zona të thella rurale shpesh nuk raportohen në regjistrin civil, duke bërë që të mbeten emrat e personave të ndjerë në lista.
Magbule Shkodra, analiste, kritikoi KQZ-në për mosangazhimin në pastrimin e listave, duke theksuar se në një epokë të teknologjisë, digjitalizimi i regjistrit civil dhe listave të votuesve do të shmangte këto probleme.
“Kjo situatë krijon dyshime dhe një shije të keqe ende pa nisur zgjedhjet”, u shpreh Shkodra.
Ndërsa njëherësh, analisti Shkodran Rexhaj shtoi se kjo situatë është si pasojë e mungesës së vullnetit nga ana e institucioneve për të pastruar listat e votuesve.
“Dallimi në numrin e votuesve është jashtëzakonisht i madh. Numri i votuesve që kanë dalë në zgjedhjet e fundit ka qenë rreth 900 mijë votues”.
Okej, kemi problem me pastrimin e listave, por është absurde të mendohet se me mbi 1 milion banorë janë. Ne kemi dallim dyfishin e atyre që kanë pasur të drejtë vote. Është problem edhe tjetër sepse përqindja e personave që kanë dalë për votim pastaj nuk është e saktë. Ne po e mashtrojmë vetveten edhe me statistikat edhe pas proceseve zgjedhore”.
“Arsyetimi është i kotë, sepse nuk ka pasur interes dhe vullnet konkret në vitin e teknologjisë për t’i pastruar këto shifra”, deklaroi Rexhaj.