PDK me mbi 1,700 tubime anembanë Kosovës – Hapja zyrtare e fushatës më 11 janar

Partia Demokratike e Kosovës ka prezantuar sot planet dhe vizionin për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Vlora Çitaku, sekretare e Përgjithshme e subjektit tha se PDK-ja është mobilizuar dhe e përgatitur për të udhëhequr Kosovën drejt një të ardhmeje më të mirë, transmeton klankosova.tv.

“Kandidatët tanë dhe strukturat tona në terren kanë punuar pareshtur për t’u siguruar se çdo qytetar do të përfaqësohet denjësisht”, tha Çitaku.

Çitaku njoftoi se gjatë fushatës, PDK-ja do të mbajë mbi 1,700 tubime me qytetarët anembanë Kosovës, ku do të prezantohet programi dhe vizioni i saj.

Ajo gjithashtu ftoi qytetarët të marrin pjesë në hapjen zyrtare të fushatës, më 11 janar në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke e cilësuar këtë aktivitet si një festë e unitetit dhe shpresës.

”PDK është e bindur në lidershipin dhe programin e saj, duke besuar se ofron kandidatin më të mirë për kryeministër dhe listën më të kualifikuar të kandidatëve për deputetë”, tha Çitaku.

Sekretarja e Përgjithshme njoftoi gjithashtu se Blerand Stavileci është caktuar si zëdhënës zyrtar i fushatës, i mbështetur nga nënkryetarja Besianë Musmurati.

”Angazhimi ynë për transparencë dhe bashkëpunim me mediat do të jetë prioritet. Vlerësojmë lart rolin e gazetarëve në demokracinë tonë dhe premtojmë bashkëpunim të plotë gjatë gjithë fushatës”, tha zëdhënësi zyrtar i fushatës, Blerand Stavileci.

Ai theksoi se këto zgjedhje janë një mundësi për ta formësuar të ardhmen e Kosovës dhe për të adresuar nevojat reale të qytetarëve.

”Zyra e komunikimit të PDK-së do të sigurojë qasje të plotë për mediat, duke garantuar informim të vazhdueshëm dhe korrekt”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.