Për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po arrestohen në Serbi “s’ekziston shteti”: Hasan Dakaj i lënë pas dore

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i arrestuar më 6 janar 2024 në pikëkalimin kufitar të Merdares nga autoritetet serbe, është liruar më 2 janar 2025 pas pothuajse një viti paraburgimi.

Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës në Beograd e kishte akuzuar Dakajn për gjoja krime lufte kundër popullsisë joshqiptare gjatë luftës së vitit 1999.

Avokati i Dakajt, Xhevdet Smakiqi, ka ngritur shqetësime për trajtimin e tij gjatë paraburgimit, duke e cilësuar arrestimin si një “kidnapim”.

Ai ka kritikuar institucionet e Kosovës për mungesën e përfshirjes dhe mbështetjes për Dakajn dhe familjen e tij.

“Prej ditës së arrestimit ka qenë një pasivitet i pashpjegueshëm apo injorim total i rastit të Hasan Dakaj nga ana e institucioneve të Kosovës… Ndërkohë që pas lirimi dhe deri më sot, askush nga Qeveria nuk e ka vizituar familjen Dakaj. Dhe për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po i arreston Serbia tash, nuk ekziston shteti apo Republika e Kosovës”, ka thënë Smakiqi.

Kritikat e avokatit përfshijnë edhe një mungesë të angazhimit për të ofruar ndihmë juridike.

Smakiqi përmendi faktin se një fshat i tërë ka mbuluar shpenzimet për mbrojtjen ligjore të Dakajt, ndërsa institucionet shtetërore kanë qëndruar në heshtje.

“Pjesëtarët e UÇK-së kanë luftuar që ta formojnë një shtet dhe, të detyrohet një fshat i tërë i mbulojë shpenzimet procedurale për përfaqësimin në procedurë penale nga avokatët serbe dhe të ekzistojë Republika e Kosovës dhe të ndahen fonde për lloj lloj kategorish në shoqëri, qoftë edhe për luks. I bie që nuk ekziston Republika e Kosovës për pjesëtarët e UÇK-së. Edhe ky ambient anti-UÇK po kontribuon që Serbia t’i arrestoj kudo që i gjen”, ka shtuar Smakiqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.