Maqedonci: Dërgimi i një njësiti të FSK-së në veri nuk ka pasur qëllim tensionimin e situatës

Një njësi e Forcës së Sigurisë së Kosovës, u dërgua para disa ditësh në një nga katër komunat në veri.

Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.

Maqedonci tha se qëllimi i letrës së dërguar, ka qenë që të sqaroj komandantin e KFOR-it se kjo nuk ka pasur për qëllim tensionimin e situatës atje.

“Në letër kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe si gjithnjë që e kam thënë publikisht në media, kam ritheksuar që insitucionet e Kosovës do të vazhdojnë të respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK në operacione në veri pas koordinimit paraprak me Komandantin e KFOR”.

Ai theksoi se letra e dërguar në adresë të Barduanit, nuk bën fjalë për një rizotim.

” Letra zotuese e vitit 2013 është dërguar nga ish-kryeministri Thaçi për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Pra çështjet përmbajtësore të zotimit adresohen në atë nivel, kurse në nivelin tim dhe të Komandantit të KFOR-it është që të sigurojmë njëri tjetrin që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar”, theksoi ai.

“Pra, nuk bëhet fjalë për ri-zotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s”, tha ndër të tjera për Klankosova.tv ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.

“Ne po vazhdojmë të respektojmë zotimin e vitit 2013 të ish kryeministrit, pavarësisht që vlerësojmë që ai zotim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.