Që nga ora 10:00 kur ka filluar ky takim dhe përveç pamjeve të publikuara nga fillimi i takimit, ende nuk dihet nëse palët janë dakorduar për gjetjen e një zgjidhjeje apo arritjen e një marrëveshejeje për targat ilegale të cilat i përdorin serbët në veri të Kosovës.
Mëngjesi ka filluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel dhe akoma nuk ka përfunduar.
Me ftesë të shefit Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrel është duke u mbajtur takimi në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ku në këtë takim i pranishëm është edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.
Takimi i sotëm në Bruksel është thirrur një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë – shqiptimit të gjobave prej 150 eurosh për shoferët me targa ilegale.
Serbët në veri të Kosovës, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.