“Borrell e ka mirë, kur thotë që duhet të shtyhet vendimi për targat. Ai e ka thënë një mendim amerikan, kjo gjë është dashur të shtyhet në mënyrë që të mos vihet deri në këtë gjendje. Aspak i mirë vendimi i Kurtit për mos shtyrjen e vendimit për targat, po ec në rrugë pa kthim. Duhet konsulta me ShBA-në. Qeveritë shkojnë dhe vijnë, por populli është pro amerikan”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të hënën qëndruan për shumë orë në takim në Bruksel, duke dialoguar për çështjen e targave ilegale, por gjithçka pëfundoi pa marrëveshje.
Bisedimet në Bruksel u zhvilluan me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ndërsa, pas takimit me Kurtin dhe Vuçiqin, u deklarua për media shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, duke akuzuar kryeministrin Kurti, se nuk e pranoi propozimin për tejkalimin e situatës.
Në anën tjetër Albin Kurti, pas takimit deklaroi se propozimi që Kosova të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM, është i papranueshëm për palën kosovare.
Në lidhje me takimin e së hënës në Bruksel dhe deklaratat e Kurtit dhe Borrellit Telegrafi ka marr opinionet e qytetarëve.
Qytetari Imer Reçica tha se Borreli kishte të drejtë në lidhje me vendimin për targat ilegale dhe se Kurti po ec në një rrugë pa kthim, në këtë aspekt.
Ndërsa, Fatmire Morina ndërmejtësit evropianë, Borrellin dhe Lajçakun, i quajti proserbë, të cilët, sipas saj, nuk duan t’ia dinë për Kosovën dhe çështjen e shqiptarëve.
“Si Borrelli po ashtu edhe Lajçak për Kosovën nuk duan t’ia dinë. Ndihem keq për Kurtin me kënd ka të bëjë. Ata të dy janë pro serb dhe absolut nuk iu interesin çështja e shqiptarëve. Historikisht na kanë shkelë, problem me BE-në kanë pasur Ismajl Qemali, Hasan Prishtina e Isa Boletini, sepse na kanë ndarë territorin”, u shpreh Morina për Telegrafin.
Deklaratat e Borrellit nuk e kanë habitur Mirsad Krasniqin.
“Deklarata e Borrellit nuk më ka habitur, sepse ai vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën. Për mua nuk ka qenë e papritur. Këmbëngulësia e Kurtit është e hatashme”, vlerësoi ai.
Josep Borrellin dhe Mirosllav Lajçakun mbështetës të Serbisë i quajti edhe Ismet Zeka. Ai deklaroi se të njëjtit po i bëjnë trysni Kosovës.
“Borrell dhe Lajçak janë në mbështetje të Serbisë, çka t’u thotë Vuçiq ata e zbatojnë. Në këtë mënyrë ata po i bëjnë trysni Kosovës. Nëse do t’ia kishin dashur të mirën Kosovës do ta kishin njohur si shtet”, theksoi Zeka.
Zbatimin e vendimit për targat ilegale e quajti të drejtë edhe Albert Razembergu.
“Vendimin e Kurtit e shoh shumë të drejtë. Kosova ka kohë që është shtet dhe nuk po zbatohen të drejtat e plota për popullin shqiptar. Pse? Nuk e di”, tha ai.
E kur mbetën vetëm disa orë deri në zbatimin e vendimit për gjoba për të gjithë ata që kanë targa ilegale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, shtyrje të zbatimit të vendimit për 48 orë. Këtij propozimi i tha PO kryeministri Kurti.