Në Prishtinë, kjo marrëveshje shihet përgjithësisht e mirë nga qytetarët.
“Marrëveshja e djeshme në Bruksel, ka qenë e mirëseardhur për Kosovën, se kjo marrëveshje i jep hapësirë bisedimeve për marrëveshjen finale. Kështu që, ne si qytetarë të Kosovës, e mirëpresim”, thotë një qytetar në Prishtinë për Radio Evropën e Lirë.
Disa qytetarë në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut e shohin marrëveshjen për si të dobishme për shtensionimin e situatës. Disa prej tyre japin prognoza se çka mund të ndodhë më tej.
Sipas marrëveshjes së arritur dje në Bruksel, Serbia më nuk lëshon targa ilegale për rajone të Kosovës, ndërsa Kosova nuk e zbaton procesin e riregjstrimit të automjeteve me targat ilegale.
“Në momentin që është involvuar Amerika, epilogu është dashur të jetë ky”, ka thënë një tjetër në Prishtinë.
Ndërkaq, një qytetare tjetër thotë se marrëveshja është dashur të arrihet më herët, e jo “të vinte në pikën e fundit”.
Edhe në Mitrovicën e Veriut, qytetarët serbë kanë pikëvështrimet e tyre rreth marrëveshjes së arritur dje në Bruksel.
“E gjithë kjo është një zgjidhje e përkohshme, për ta qetësuar sadopak stuhinë”, ka thënë një qytetar serb.
“Në fund do të kemi targat targat KS, targat neutrale”, thotë ai.
Sipas tij kjo është zgjidhja e duhur dhe më e përshtatshmja për të gjithë.
Edhe të tjerë qytetarë serbë thonë se është mirë që u arrit një marrëveshje për ta shtensionuar situatën në terren.