Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i ka reaguar ish-kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, që tha se shtrirja e Telekomit në veri të Kosovës ka nisur në vitin 2010.
Ish-kryeshefi i PTK-së ka thënë se në prill të vitit 2010 janë larguar antenat e operatorëve ilegalë serbë në pjesën veriore te Kosovës dhe janë vendosur antenat e operatorit VALA.
Muja ka shkruar se Policia e Kosovës nuk ka mundur të zhvillojë komunikim në pjesën veriore të vendit dhe se, sipas tij, në raste policët e Kosovës kanë kominikuar përmes Telekomit të Serbisë.
Deputeti i LVV-së tutje thotë se “sa herë kam shkuar në atë pjesë kam parë punime në vendosjen e antenave dhe sinjali përgjatë tërë rrugës nuk më ka munguar”. Nuk kuptohet qartë se kur i ka parë këto punime, por duket se ai i referohet periudhës së tanishme, pasi më poshtë thotë se “. Në këto punime në atë anë kam parë unfirormën e Policisë së Kosovës dhe atë të punëtorëve të Telekomit, të cilët sigurisht nuk i kanë marrë leje bandave kriminale siç ishte bërë dikur, por janë vendosur me leje dhe autorizim të institucioneve të Republikës”.
Shkrimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Mujës:
Antenat e PTK
E pashë sot reagimin që ish-Kryeshefi asokohe i PTK-së, Haxha paska thënë se Qeveria Kurti po mashtron dhe se antenat e Vala-s në Veri qenkan vendosë që më 2010.
Unë nuk e di se kur e si janë vendosur ato antena, por një gjë e di me siguri se nga vizitat e shpeshta që i kemi bërë veriut të vendit veçanërisht në pikat kufitare 1 dhe 31, Jarinjë e Bërnjak, e përgjatë rrugëve magjistrale Policia e Kosovës nuk ka mundur të zhvillojë komunikime me telefon. Madje për disa nevoja ata kanë përdorur telefonat e Telekom Serbia, të kolegëve të tyre serb për të zhvilluar ndonjë komunikim telefonik. Dhe kjo ka qenë me dhimbshme.
Po ashtu sa herë kam shkuar në atë pjesë kam parë punime në vendosjen e antenave dhe sinjali përgjatë tërë rruës nuk më ka munguar. Në këto punime në atë anë kam parë unfirormën e Policisë së Kosovës dhe atë të punëtorëve të Telekomit, të cilët sigurisht nuk i kanë marrë leje bandave kriminale siç ishte bërë dikur, por janë vendosur me leje dhe autorizim të institucioneve të Republikës.
Duhet që shërbimi edhe më tejë të zgjerohet e të përmirësohet.Por, duhet pak kërkim e mbamendje për të ditur se kush ka reaguar dje, është po ai person që praktikisht e ka shkatërruar Telekomin me marrëveshje të dëmshme. Mjafton të kujtojmë atë me Z-Mobile dhe nuk ka nevojë për sqarime shtesë