Çun Lajçi mbron Albin Kurtin pas thirrjeve për dorëheqje: Ata s’duan me gjet vrasësin, ky është qëllimi i tyre

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi ka kritikuar opozitarët dhe analistët në televizione, që po kërkojnë dorëheqje në Qeverinë Kurti, pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ai ka thënë se dorëheqjet po kërkohen jo për ta gjetur vrasësin, por vetëm për ta shkarkuar Qeverinë,.

Sipas tij, dorëheqje duhet të kërkohet nga arsimtarët dhe prindërt, që t’i edukojnë fëmijët, e jo të “gjuhet gurë mbi të tjerët”.

“Kërkojnë dorëheqje kolektive, thua se jemi shtet monist! Ata s’duen me gjetë vrasësin (ashtu siç nuk i gjetën edhe vrasësit e Ahmet Krasniqit, Tahir Zemës, Ekrem Rexhës e sa e sa të tjerëve), por duen me shkarkua nji qeveri, nji ministreshë me të gjithë ministrat e Kryeministrit me ia thye qafën kërshave vetëm pse llak-llakët duhet me shitë ujem në televizionet e bykut!”, ka shkruar Lajçi në një postim në Facebook.

Reagimi i tij i plotë:

Pse kërkoni dorëheqjen e ministrave ju tellallet e televizorëve

Për që nuk di, po iu shkruej e do t’iu shkruej deri sa t’lëvizë gishti, por jo juve që m’lexoni! Ju jeni si unë, njerëz që flisni me vetvetën, që i shihni gabimet e të tjerëve, por që s’keni pse i thoni e kujt t’ia thoni!

Po iu shkruej juve që s’keni frej për kuajt e pa shaluem, jo atyne që s’kanë kohë me u marrë me shkrimet e tjerëve, se goja e tyne asht e barabartë me trakalicën, pykën që rrin mbi gurin e mullinit, e rrak-rrak e llak-llak iu ban gjuha e kurrë s’pushojnë tue shitë ujem!

Për që nuk di po shkruej, se t’paditun kanë qëllua edhe ata që nuk dinë me cokatë gurin e mullinit të vet, prandaj drithin e bluejnë aq trash sa sita mbushet krunde e s’dimë çka hamë, bukë thekne, gruni apo elbi. Të gjitha po dalin të vrugëta e therrat e kajzave po na mbesin në fyt!

Tani edhe uji i krojeve asht turbullua nga shinat vjeshtor e tamthat asht dro me na pëlcit nga zalli e fjalët e pamatuna të gojëve që bajnë llak-llak! Ata janë ba edhe gjykatës edhe policë. Hoxhë e prift i keni do t’pa cokatun në Televizionet tona, që fajin e endin herë të hajni, herë të vrasësi, herë të viktima herë te Kryeministri! Madje atij ia vjerrin kumonën n’qafë, si dreqit sykuq e duen ta katërrisin kërrshave e t’ia thejnë brinat si cjapit!

__Ti je e liga e të gjithave. Ti je vrasësi i nanës shtatzanë! Ti je dhunuesi i çikës 13 vjeçare! Ti je hajni i kacës se Ministrisë, me miliona euro e kilogram kokaine! Ti je e zeza e tabelave dhe e marrëveshjeve t’Brukselit!

Harrojnë kajzit e elbit se ai vrasës i shtatzanës e ka nji babë që s’e ka edukua birin e vet. (Madje as këta vet s’e kanë edukua fëmiun e tyne)! E ka pasë edhe nji shkollë që s’e kanë mësua arsimtarët për jetën martesore, për femnën që quhet jetë, për fëmiun që ta vazhdon gjenezën!

Jo! Atyne mullini iu bluen trash. Kërkojnë dorëheqje kolektive, thua se jemi shtet monist! Ata s’duen me gjetë vrasësin (ashtu siç nuk i gjetën edhe vrasësit e Ahmet Krasniqit, Tahir Zemës, Ekrem Rexhës e sa e sa të tjerëve), por duen me shkarkua nji qeveri, nji ministreshë me të gjithë ministrat e Kryeministrit me ia thye qafën kërshave vetëm pse llak-llakët duhet me shitë ujem në televizionet e bykut!

Eh, sa vrasja e fëmijëve e nanave e pleqve bahet n’Amerikën demokratike, por kurrë s’u kërkua dorëheqja e Presidentit, madje as e Sekretarit të shtetit.

Pse kërkoni dorëheqjen e ministrave ju tellallet e televizorëve e nuk kërkoni nga arsimtarët e prindët që ti edukojnë fëmijët, e prokurorët ta pastrojnë egjrën e policia ta ruejë popullin, po gjueni gurë mbi të tjerët!

Dardani, 02.12.2022

Leave a Reply

Your email address will not be published.