Triumfi i helvetikëve ndaj serbëve u bë në stadiumin “974” në Doha të Katarit, të cilin pritet që ta marrë Kosova pas përfundimit të Kampionatit Botëror.
Zvicra “çmendi” Serbinë me rezultatin 3:2, duke u kualifikuar në 1/8 e finales së Kupës së Botës.
Një gol nuk mund të mungonte nga ylli nga Kosova Xherdan Shaqiri. Ai shënoi golin e parë në ndeshje në minutën e 20-të.
Goli i tij ua shuajti ëndrrat tifozëve serbë, të cilët kishin ardhur në stadium në përkrahje të kombëtares së tyre.
Në rrjetet sociale është publikuar një fotografi e një tifozi serb, i cili në fanellën e tij ka shkruar se ka shitur veturën, “për ta shikuar Serbinë, duke mposhtur Shaqirin”.
“Kam shitur veturën time për të ardhur këtu, për t’ju shikuar juve duke e mposhtur Shaqirin”, shkruhet në fanellën e serbit.
Por, Shaqiri me paraqitjen e tij fenomenale heshti tifozët serbë që e vërshëllenin sa herë që ai e prekte topin.