Media e madhe zvicerane “Tagesspiegel” sot ka shkruar për sfidën e nxehtë të së premtes mes Zvicrës dhe Serbisë, në kuadër të xhiros së tretë të Kampionatit Botëror, që po mbahet në Katar.
Zvicra ka shënuar fitore me rezultat 3:2 ndaj Serbisë dhe është kualifikuar në të tetën e finales, ndërsa Serbia ka paketuar valixhet dhe është kthyer në Beograd.
“Baza e hetimit është sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve serbë. FIFA nuk ka njoftuar për ndonjë hetim ndaj zviceranit Xhaka”, shkruan “Tagesspiegel”.
“Federata Botërore e futbollit (FIFA) ka nisur procedurat disiplinore ndaj serbëve pas ndeshjes së diskutueshme kualifikuese të Kupës së Botës ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës (2:3).
Ndër të tjera, po hetohen sjelljet e pahijshme të lojtarëve dhe zyrtarëve, si dhe diskriminimi, njoftoi FIFA të hënën. Ndeshja të premten e kaluar ka qenë e ndezur si asnjëherë. Serbët për shkak të disfatës sërish dështuan në raundin paraprak.
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, është përplasur me pankinën serbe në pjesën e dytë.
Pas ndeshjes ai ka veshur fanellën e bashkëlojtarit të tij Ardon Jasharit. Jashari është edhe emri i një luftëtari të pavarësisë, i cili konsiderohet si bashkëthemelues i UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës) dhe simbol i rezistencës ushtarake kundër serbëve.
Ky veprim nuk kishte prapavijë politike, kishte protestuar Xhaka.
FIFA nuk ka njoftuar ende ndonjë hetim ndaj 30-vjeçarit Xhaka, i cili ka rrënjë të Kosovës. Zvicra do të përballet me Portugalinë në të tetën e finales, të martën”, përfundon shkrimi i gazetës zvicerane “Tagesspiegel”.