Ministri i Jashtëm italian, telefonatë urgjente me Kurtin dhe Vuçiqin

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Tajani ka treguar se me dy liderët ka biseduar në lidhje me tensionet në veri, teksa iu ka kërkuar që t’i shmangin veprimet e njëanshme.

Ai shtoi se tensionet në veri rrezikojnë stabilitetin në të gjithë rajonin.

“Tensionet në veri të Kosovës rrezikojnë stabilitetin në rajon. I telefonova presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, duke u kërkuar që të shmangin veprimet e njëanshme. Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkan. Le të nxisim dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar Tajani në Twitter.

Që nga e enjtja në mbrëmje në komunat veriore kanë ndodhur disa shpërthime të shok-bombave e të shtëna me armë zjarri, me këtë rast, janë shtuar patrullimet dhe prezenca policore. Po të enjten në mbrëmje, nga grupet ekstremiste në atë pjesë të vendit është sulmuar një patrullë policore, ku ka mbetur i lënduar një polic. Sulme ka pasur edhe ndaj gazetarëve.

Zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa ato për kuvende komunale më 25 dhjetor. E para disa ditëve, derisa zyrtarët e KQZ-së bashkë me zyrtarë policorë janë penguar që të hyjnë në ambientet e KKZ-ve në komunat veriore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.