Ambasadori rus në Serbi: E pasaktë se Rusia nuk ka kohë për Kosovën, Vuçiq e di se ka mbështetje

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bochan-Kharchenko, ka deklaruar se Serbia e ka mbështetjen e Rusisë për situatën në Veri të Kosovës.

“Dua të theksoj se një vendosje e tillë e situatës është krejtësisht e gabuar, siç janë edhe deklaratat e gabuara, se Rusia aktualisht nuk ka kohë për Kosovën. Perëndimi po dërgon këto mesazhe të rreme për ta nxitur situatën,” ka deklaruar ambasadori rus në Serbi.

Po ashtu, ai ka thënë se Perëndimi beson se nëse Rusia nuk ka kohë për Kosovën, tani do të jetë në gjendje të ushtrojë presion shtesë ndaj Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kjo nuk është e vërtetë, ne mbetemi miq të ngushtë në këtë situatë. Në marrëdhëniet me Serbinë vlen slogan ‘Ne nuk dorëzojmë tonat’. Ne vazhdojmë t’i themi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ai e di se do të ketë mbështetje”, ka shtuar kryediplomati rus në Serbi.

Pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e saj, Dejan Pantiq, nën dyshimin se ishte i përfshirë në sulmet ndaj zyrtarëve të Komisionit Zgjedhor në veri të Kosovës dhe ndaj policisë, në rrugët që të çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak u vendosën barrikada.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale u shpallën për shkak se kryetarët e komunave veriore dhe përfaqësuesit e tjerë serbë, lanë postet e tyre në fillim të nëntorit, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës, për të mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të paligjshme “KM”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.