Bislimi për BBC: S’i kanë vendosur serbët lokalë barrikadat, por radikalët e Vuçiqit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë të shkurtër për BBC, ka deklaruar se barrikadat në pjesën veriore të Kosovës nuk janë vendosur nga serbët lokalë atje, por nga grupet radikale, me mbështetjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Situata në veri është me të vërtetë e tensionuar”, pohoi Bislimi, “por do të përmbahem t’ia atriubuoj këtë serbëve në veri sepse me sa duket barrikadat s’janë vendosur nga serbët në veri por nga një grup shumë i vogël i radikalëve të cilët janë të mbështetur nga Beogradi”.

Ai shtoi se dërgimi i Policisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, nuk duhet të lexohet si mesazh kundër qytetarëve serbë në Kosovë.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm me problemet që qytetarët në veri po përballen aktualisht, për këtë arsye ne kemi udhëzuar policinë që të bëjë gjithçka për të treguar profesionalizëm dhe mesazhi është dërguar qartë tek serbët lokalë që asgjë s’ka të bëjë me ta”.

“Ne jemi të interesuar t’i largojmë barrikadat dhe ta qetësojmë situatën. Por, ne kemi bashkëpunim të fortë me trupat e KFOR’it dhe policinë e EULEX’it dhe në asnjë rast ne nuk kemi dërguar sinjale të gabuara tek serbët lokalë”, theksoi Bislimi.

Që nga 10 dhjetori, disa serbë lokalë në Veri ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Veprimet e tyre u ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Kamionë të mëdhenj dhe autobusë vazhdojnë t’i bllokojnë rrugët në gjashtë lokalcione të ndryshme duke pamundësuar lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.