Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kritika të ulëta ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Osmani në fjalimin e saj vjetor në Kuvend, duke aluduar në ish-presidentin Thaçi tha se ka përfunduar koha e tregtarëve të kufijve. E për këtë, Lushtaku tha se Thaçi i ka bërë kufijtë me bashkëluftëtarët e UÇK-së, e Osmani mundohet të ulë pozitën e presidentit duke u “marr me pallavra”.
“Osmani ka kritika të ulëta dhe ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Kur e dëgjon një fjali të tillë është e turpshme për një presidente të vendit. E dimë që Thaçi me bashkëluftëtarët e UÇK-së janë ata që e kanë çliruar vendin. Ai i ka bërë kufijtë bashkë me ata burra dhe e ka bërë shtetin që sot Osmani mundohet të përvetësojë dhe të ulë pozitën e presidentit duke u merr me pallavra të tilla”, tha ai.
Sipas tij, kjo i bie se “sikur t’i thuash babait tënd se ku i kanë megjat ose sikur një vajzë apo një djalë i thotë babait të vet këtu janë megjat”.
Ai më tej e quajti presidenten Osmani “fëmijë i lazdruar”. Sipas tij, në vend se Osmani të bën thirrje për mbrojtje të luftës së UÇK-së, ajo po tregon se është në anën e Serbisë.
“Osmani është një fëmijë i lazdruar që po mundohet të tërheq vëmendjen me atë çfarë në fillim të karrierës së saj politike është munduar të ngrihet në pozitë. Tani nuk ka askënd të tërheq vëmendjen edhe të viktimizohet, por duhet të merret me Thaçin që është në Hagë. Në vend se të thirrë për mbështetje dhe mbrojtje të luftës së UÇK-së po tregon se është në anën e Serbisë”, përfundoi Lushtaku.