Hill: Serbia ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it, por se zgjidhja e nevojshme duhet të jetë politike.

“Kjo është një çështje që mbetet politike dhe prandaj kërkon një zgjidhje politike”, deklaroi ambasadori Hill. “Unë nuk shoh mundësinë e një zgjidhje ushtarake”, tha Hill përpara gazetarëve serbë.

Ajo që duhet bërë, shtoi ambasadori amerikan, është “të qetësojmë situatën dhe të krijojmë paqe dhe stabilitet në atë zonë”.

“Dhe që njerëzit që jetojnë atje mund të kenë pritshmëri të qarta se si do të jetë jeta e tyre në të ardhmen. Kjo mund të arrihet përmes themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, beson ai.

Hill kujtoi se Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, të mërkurën “e bëri të qartë se kjo është diçka që do të ndodhë”.

“Kjo, në mënyrë që njerëzit të kenë një pasqyrë të qartë se si do të jetojnë në të ardhmen në zonat ku kanë qenë prej shekujsh dhe që kjo të krijojë një rikthim në normalitet përmes të cilit do të arrihet stabiliteti i asaj zone”, shtoi ndër të tjera diplomati amerikan.

Leave a Reply

Your email address will not be published.