​Dënimi i Mustafës, Kusari: Të vetmit që s’e përkrahëm Specialen, pasojat do t’i bartë vendi

Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK kanë komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale për dënimin e Sali Mustafës me 26 vjet burgim.

Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK kanë komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale për dënimin e Sali Mustafës me 26 vjet burgim.

Shefja e Grupit Parlamentar i VV, Mimoza Kusari Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se VV-ja ka qenë partia e vetme që nuk e ka përkrahur vendimin për formimin e Gjykatës Speciale.

Deputetja Kusari Lila tha se pasojat e atij vendimi do t’ i bartë vendi.

Kusari-Lila: Pasojat e Speciales po i bartë vendi

“Qëndrimi i Vetëvendosjes në raport me gjykatën është tashmë i ditur. Është konsideruar si vendim I gabueshëm, VV nuk e ka mbështetur këtë vendim, fatkeqësisht ka qenë grupi I vetëm parlamentar që nuk e ka mbështetur dhe s’ka mundur ta ndal. Tash pjesën tjetër janë pasojat e një veprimi i cili ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Kështu që pasojat po i bartin të tjetër dhe do t’i bartë edhe vendi. Përderisa ende sot në Kosovë arrestohen ata të cilët kanë kryer krime lufte ndaj popullatës civile. Kemi pasur ditëve të fundit, tashmë një ose dy arrestime të përfaqësuesve të ish-policisë serbe. Pra, njëjtë sikur është argumentuar nga Lëvizja Vetëvendosje aso kohe kur është votuar synon të barazojë agresorin me viktimën dhe është tepër e rëndë”, theksoi ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri tha se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe kërkoi që ky vendim të apelohet.

Tahiri: Vendimi të apelohet, është absurd

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës(UÇK) ka qenë luftë për liri, luftë e drejtë dhe kundër sistemit të okupimit të Sllobodan Millosheviçit. Ky vendim duhet të apelohet dhe drejtësia të del në pah. ‘Cali’ dhe gjithë bashkëluftëtarët tjerë kanë bërë një luftë të drejtë. Për mua dhe gjithë shqiptarët, ky vendim është i paargumentuar. Jam i bindur se drejtësia për Mustafën do të rezultojë që ai do të fitojë në apelim. Ky vendim është absurd”, theksoi ai.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia e Kuvendit ka vendosur të mbajë dy seanca parlamentare të enjten e ardhshme, ku pritet të shqyrtohen edhe dy projektligjet në lexim të dytë, Projektligji për zyrtarët publik dhe projektligji për pagat. Po ashtu të enjten pritet të mbahet edhe debati parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022.

Sa i përket Projektligjit të pagave, deputeti i AAK-së, Tahiri kërkoi që vlera e koeficientit për para të jetë 129 euro, ndërsa për Projektligjin për zyrtarët publik ai pret që ky projektligj të atakohet në Kushtetuese. Ai tha se Projektligji për zyrtarët publik godet pavarësinë dhe integritetin e zyrtarit civil.

Tahiri: Vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro

“Sa i përket ligjit të pagave, ne i kemi dy qëndrime. E para, vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro, ndërsa hyrja në fuqi duhet të ndodhë, më 1 shkurt dhe me këtë ligj të mos ketë zbritje të pagave, port ë ketë ngritje”, tha ai.

Përveç pikave të zakonshme, të enjten Kuvendi do të shqyrtojë edhe Projektligjin e marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe ekonomike mes Kosovës dhe Fondit për Zhvillim Ndërkombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.