Prof .dr. Skender Rizaj ( 14 mars 1930-)
NJË JETË KUSHTUAR SHKRIMIT TË PERIUDHËS OSMANE TE SHQIPTARËT
“Pra, kombit shqiptar, më shumë se kurdoherë, i duhet:
-Një poet si Naim Frashëri e Gjergj Fishta, si Mehmet Akifi e jo poeti pansllavist; një shkrimtar si De Rada, Pashko Vasa, Naim Frashëri dhe Fan S. Noli, e jo shkrimtari pansllavist; një diplomat si Abdyl Frashëri e Ismail Qemali, e jo diplomati pansllavist; një gjuhëtar si Kristoforidhi, si Sami Frashëri, si Eqrem Çabej, e jo gjuhëtari pansllavist; një hoxhë si myfti Ymer Prizreni e Mulla Haxhi Zeka, e jo hoxha pansllavist; një prift si Fan S. Noli e Gjergj Fishta, e jo si prifti pansllavist; një historian si Marin Barleti, e jo historiani pansllavist; një flijimtar si Haxhi Zeka dhe Hasan Prishtina, të cilët flijuan edhe pasurinë për çështje kombëtare, e jo flijimtari pansllaviste, i cili i flijon interesat kombëtare për hir të interesave vetanke; një mbrojtës i kalve shqiptare si Hasan Riza Pasha, e jo si Esat Pashë Toptani pansllavist; një deputet i parlamentit si Nexhip Draga, e jo deputeti pansllavist; një burrështeti si Skënderbeu, i cili qe ilir i fundit dhe shqiptar i par, e jo burrështeti pansllavist”.( Giuseppe Catapano, Nermin Vlora-Falaschi-Skender Rizaj, Shqiptarët-popull i ndarë,(Libri i parë), Pejë, 1996, f. 190-191).
Këto janë vetëm disa parashikime të historianit të periudhës osmane te shqiptarët Prof. dr. Skender Rizajt, të shkruara në vitet e 90-ta, në njërin nga librat e tij si bashkautor. Po që se vështrohen me vëmendje këto rreshta, mund të thuhet se në një fare forme tingëllojnë aktuale edhe sot.
Por, kur jemi të studimet osmane, veprimtari i njohur i çështje kombëtare, Mithat Frashëri, qysh në dekadat e para të shek. XX, ka ngritur shqetësimin e tij rreth mungesës së studimeve dhe kuadrit të osmanistikës te shqiptarët. Ky shqetësim i tij, edhe pse i ngritur para shumë viteve, edhe sot mund të jetë aktual, ngase përgjithësisht në trojet shqiptare numri studiuesve që merren me dokumente osmane vazhdon të jetë i vogël, edhe pse albanologjia ka nevoja të shumta për studime të mirëfillta nga kjo periudhë historike. Jo se kanë munguar studiuesit tanë nga ky lëmë, por ky konstatim del nga krahasimi i përpjekjeve të gjertanishme me dorëshkrimet dhe dokumentet e shumta orientale që gjenden në qendrat e ndryshme botërore, si në: Stamboll, Ankara, Sofje, Sarajevë, Tiranë, Shkup etj. E të cilat presin dorën e studiuesit.
Skender Rizaj, modeli i studimeve osmane
Megjithëkëtë, edhe pse të paktë në numër shqiptaria pati dhe ka të atillë që me punën e vyer shkencore, po lënë rezultate të lakmueshme në fushën e historiografisë shqiptare, sidomos në lëmin e studimeve nga periudha osmane te shqiptarët, ndërsa njëri nga ta është edhe historiani, Prof. dr. Skender Rizaj, kontributi shkencor e pedagogjik i të cilit na bënë që në 91-vjetorin e lindjes t’i shkruajmë disa rreshta, shkencëtar i cili edhe pse të tjerët mundohen ta harrojnë, ai me punën e vet të deritanishme shkencore e pedagogjike, na detyron që në asnjë mënyrë të mos e harrojmë.
Tek ne sikur është bërë traditë që njerëzit e vyeshëm, t’i përkujtojmë apo të na bjerë ndërmend për ta, vetëm mbasi të vdesin, sa janë në jetë sikur nuk iu dihet vlera, edhe pse me punën e tyre e merituan që të bëjmë më shumë për ta.
Prof. dr. Skender Rizaj punon për shumë vite, edhe përkundër moshës, ende i mundohet të jep kontributin e tij në shkencë. Ai është doktori i parë shqiptarë i shkencës se historisë në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Prej Ligjëruesve ta parë si doktor shkence në Universitetin e Prishtinës, krahas Idriz Ajetit, Mark Krasniqit e Drevish Rozhajës, ishte ndër themeluesit e parë të Katedrës së Historisë në Universitetin e Prishtinës, i cili, së bashku me Ali Hadrin etj, i dha shpirt e zemër, gjak e gjallëri dhe e afirmoi historiografinë tonë si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Me punën e gjertanishme mund të thuhet se është shembull i mirë në fushën e historiografisë sonë kombëtare, është edhe mësues për punonjësit e rinj shkencorë që të punojnë me zell e korrektësi në fushën e shkencës. I gatshëm gjithmonë për t’iu dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë dhe që e kërkojnë ndihmën e tij. Është njëri ndër veteranët e shquar të historiografisë shqiptare në Kosovë.
Nga biobibliografia e Skender Rizajt
Skender Rizaj u lind në Pejë më 14 mars 1930. Pasi që rrjedh nga një familje autoritare hoxhallarësh të asaj ane, të cilët njihnin mirë gjuhet orientale, arabisht, persisht, osmanishte, prof. S. Rizaj arriti të merrte njohuri solide nga ta, për këto gjuhe, konkretisht nga babi i tij Esherfi, i cili ishte hoxhë me autoritet, për të vazhduar më vonë edhe matej me specializime për osmanisht si në Sarajevë e në Stamboll. Në Pejë e ka kryer shkollën fillore (1941) dhe semimaturën (1945), kurse në Prizren shkollën normale (dy kurse pedagogjike: 1946, 1947). Në Shkup e ka kryer Fakultetit Filozofik – Dega e Historisë (1956); në Beograd provimin shtetëror për profesor të gjimnazit (1960); në Sarajevë studimet pasuniversitare dhe doktoratën (1965).
Në moshë 17-vjeçare, angazhohet në ilegalitet, ku mbante pseudonimin” Fishkëllima” dhe i takonte organizatës ilegale “ Besa Kombëtare”. Gjykata e Qarkut në Prizren në nëntor të vitit 1946 (si nxënës) i shqiptoi dënimin me 1 vit burgim të rëndë, në bazë të nenit 3/1 të ligjeve të atëhershme në fuqi (Shih: Arkivi i Kosovës, Fondi: Gjykata e Qarkut në Prizren, Lënda Penalja nr. 20).
Gjatë vitit 1948 ka shërbyer si mësues në katundin Gllaviçicë; gjatë viteve 1948-1952 në Pejë ishte mësues dhe drejtor i shkollës fillore; profesor i gjimnazit (1956-1961); në Prishtinë arkivist i Arkivit të Kosovës (1961-1963); në Pejë arsimtar i shkollës fillore (1963 – 1965); në Prishtinë asistent – docent – profesor inordinar – profesor ordinar (1965-1987); në Stamboll këshilltar kompetent – specialist (uzmanı) i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore të Qeverisë Turke (Başbakanlık Arşivi) (1989-1990).
Pas mbarimit të doktoraturës i lidhur shpirtërisht me osmanishten, prof. S. Rızaj nuk do të ndalet së hulumtuari dokumente për periudhën osmane te shqiptarët. Krahas gjuhëve orientale, prof. S. Rizaj, zgjeroi njohuritë edhe në gjuhën angleze, duke i dhënë mundësi që të bëjë, krahasime me dokumente historike nga te dy anët e botës orientit dhe oksidentit. Zotërimi i gjuhëve të huaja ia hapi rrugën prof. S. Rizajt për hulumtime në biblioteka dhe arkiva në shumë qendra dhe institucione të ndryshme shkencore të botës si (në Sarajevë, Beograd, Shkup, Zagreb, Dubrovnik, Prishtinë…), të Shqipërisë, të Italisë, të Gjermanisë, të Turqisë, më së shumti ka bërë hulumtime në Stamboll (në Başbakanlık Arşivi , në bibliotekat: Bayezid, Süleymaniye, Devlet Kütüphanesi) dhe në Londër (në The Public Record Ofice, The British Museum, The British Library.
Vendin kryesor në veprimtarinë e tij shkencore në historiografinë shqiptare e zënë studimet që kanë të bëjnë me historinë e popullit shqiptar në periudhën e Perandorisë Osmane.
Ka marrë pjesë me referate dhe kumtesa në kongrese, simpoziume dhe konferenca ndërkombëtare të mbajtura në ish-Jugosllavi (në Prishtinë, Beograd, Sarajevë, Sjenicë, Mostar, Shkup); në Shqipëri (në Tiranë); në Turqi (në Stamboll, Ankara, Edrene); në Greqi (Athinë); në Rumani (Bukuresht); në Gjermani (Munih); në Itali (Palermo). Këto referate dhe kumtesa janë botuar si materiale të kongreseve, të simpoziumeve, të konferencave përkatëse.
Ka botuar një mori studime shkencore dhe profesionale: studime monografike, tekste shkollore dhe universitare, artikuj, kontribute, fejtone, kritika, recensione, etj.. Punimet i ka shkruar dhe publikuar: në gjuhën shqipe, serbo-kroate, maqedonase, sllovene, angleze, turke, italiane, gjermane, arabe; kurse i ka botuar: në Prishtinë, Pejë, Prizren, Sarajevë, Zagreb, Shkup, Vrajë, Kralevë, Lubjanë, Sjenicë, Novi Sad, Tiranë, Istanbul, Edrene, Ankara, Athinë, Bukuresht, Palermo, New Jersi (SHBA), Munih (Gjermani), Irbit (Jordani).
Një fjalë e urtë latine thotë: “Libri është më shumë se një përmendore”, andaj Prof. S. Rizaj, me punën e deritashme publicistike e shkencore mund të thuhet se ia ka ngritur një përmendore vetes.
Ndër kontributet më të çmueshme, veçojmë:
Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze, Prishtinë, 1978
Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII – Administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizjet popullore, “Rilindja”, Prishtinë, 1982
Historia e Përgjithshme Koha e Re (1453-1789), Prishtinë, 1985.(tekst universitar).
Burimet osmane nga shekulli XV deri ne shekullin XVIII për banoret e Deçanit dhe te rrethinës (kumtese), Simpozium Ndërkombëtar me teme “Deçani dhe arti ne shekullin XIV ne boten bizantine” (Beograd dhe Deçan 10-15 shtator 1985) (organizuar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve si dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës). Publikimi i kësaj kumtese do t’i kushtoj me largimin nga puna ne universitet, por jo edhe me largimin nga shkenca, prof. S. Rizaj assesi nuk do të demoralizohet, por përkundrazi ai do të vazhdojë edhe me intensivisht të merret me punën e vet kërkimore shkencore në fushën e historiografisë shqiptare.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1877-1885) dy vëllime-dokumente/The Albanian League of Prizren (1877-1885), Prizren, 1998
Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1877-1885)/The Albanian League of Prizren (1877-1885), Prizren, 1998.
E drejta historike e shqiptarëve për vetëvendosje / The Albanians’ Historical Right to Self-Determination, Prishtinë, 2005.
Falsifikimet e historiografisë Serbe /The Falsifications of Serbian Historiography, Prishtinë, 2006.
Të vlerësohen puna dhe kontributi shkencor i Profesorit
Mund të themi lirisht se shumica kontributeve të prof. S. Rizajt edhe sot e kësaj dite mbeten të patejkalueshme dhe një pikë referimi e padiskutueshme për historianët dhe studiuesit që merren me këto çështje.
Por jo vetëm me punën shkencore prof. S. Rizajn në 91-vjetorin e lindjes e kujtojmë edhe si një pedagog të vyeshëm, që me sjelljet e tij prej një pedagogu të vërtetë la mbresa të pashlyeshme te studentët. Ne mesin e shume studentëve pata fatin që edhe unë si autor i këtij punimi të ndiqja për dy semestra ligjërata te prof. S. Rizaj në studime posdiplomike në Universitetin e Prishtinës-Dega Histori. Jo vetëm gjatë orëve të ligjëratave që u soll me ne si më mirë, por edhe në shtëpi sa herë i kemi trokitur dhe po i trokasim, gjithmonë duke na pritur duar hapur, sepse siç thotë edhe vetë prof. S. Rizaj: “Unë rri me të rinj, sepse sa here rri me ju unë marr nga rina juaj dhe gjithmonë po e ndjej veten te ri”.
Në qoftë se do të shpreheshim në rastin e prof. S. Rizajt me shprehjen kenediane “Mos pyet se çdo të bëjë atdheu për ty, por pyet ç‘mund të bësh t’i për të”,-atëherë pa mëdyshje do të konstatojmë prof. S. Rizaj del ballëhapur në këtë përvjetor para popullit të tij me kontributin shkencor dhe pedagogjik. Ka punuar dhe ende po benë përpjekje të punojë duke shkruar dhe publikuar monografi, një numër i dorëshkrimeve të cilat po presin dorën bujare të ndonjë donatori. Prof. S. Rizaj ende po vazhdon të jetë aktiv dhe shumë konstruktiv me këshilla ndaj kandidatëve në doktoratura nga fusha e historiografisë.
Nuk kam se si ta mbyll këtë shkrim modest timin e mos të pyesë, se çfarë janë duke bërë institucionet tona për këtë njeri? Përgjigjja pa mëdyshje se do të ishte negative: Asgjë. I mbyllur në shtëpinë e tij, Prof. S. Rizaj, duke punuar pandërprerë, duke dhënë mund dhe duke u munduar qe dijen dhe njohuritë e Tij t’i derdhë në letër dhe pas gjithë atij mundi nuk gjen donator ndoshta për botime. E kanë për detyrë ata që janë ne institucione vendimmarrëse në Kosovë, një numër i të cilëve ishin edhe studentë dhe morën dije prej prof. S. Rizaj, të bëjnë me shumë për këtë njeri, përndryshe përgjegjësia do të bjerë mbi ata të cilët patën mundësi të bëjnë për këtë njeri dhe nuk bënë asgjë. E pakta që mund të bëjnë është që t’ia botojnë në një komplet pjesën me të madhe të punimeve të botuara e të cilat kanë vlera të shumëfishta shkencore për historiografinë shqiptare dhe disa prej punime që presin për disa vite në dorëshkrim t’i mundësohen për botim.
/NURIDIN AHMETI/ REVISTA UJI/