​Aktakuzë ndaj shtatë personave në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave në lidhje me Zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me datë 14 shkurt 2021.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinion publik se lidhur me zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më datën 14 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’, e sanksionuar me nenin 216 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, në mesin e të akuzuarve janë: H. Sh. Ish-deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të pandehurit S. M., A.K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe i pandehuri P.P.

Bëhet e ditur se hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete M. H. S. nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H. Sh. ia kanë shtuar 3 vota.

“Hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H. Sh në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M. H. S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale”, thuhet po aty.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.