Deputetja e LDK-së kritikon Qeverinë Kurti për dialog

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka folur për punën e Qeverisë Kurti gjatë vitit 2022.

Krasniqi, e cila njëherësh është dhe kryetare e Komisionit për Integrime, vlerëson se ky vit e karakterzon qeverinë me dështime të shumta, derisa thotë se nuk pati të mira nga ajo as vendi e as qytetarët, teksa shumë prej tyre po largohen nga vendi.

“Viti që po e lëmë pas karakterizon dështimet e shumanshme të Qeverisë Kurti, e cila nuk i solli asnjë të mirë vendit e as qytetarëve. Ngritjet e vazhdueshme të çmimeve të produkteve ushqimore, derivateve, pastaj shtrenjëtimi i energjisë elektrike, të gjitha këto janë bërë barrë e papërballueshme për shumicën dërmuese të popullësisë. Si rezultat, për fatin e keq kishim edhe një ikje masive të qytetarëve. Vetëm në muajt e parë të vitit 2022 kishim mbi 200 mijë aplikime për në ambasadën e Gjermanisë për viza pune, mos të flasim për ambasadat tjera, ku ende vazhdojnë të jenë pritjet e gjata në radhë për të caktuar termine për viza. Vërtetë kjo është shqetësuese edhe për të ardhmen e vendit, sepse ata që po ikin tani, nuk e mendojnë më kthimin në vendlindje, ngaqë kjo qeveri ua ka humbur shpresat për ndryshim. Fatkeqësia më e madhe është se në mesin e atyre që janë larguar dhe po presin të largohen ka edhe mjekë, policë, ushtarë, inxhinierë, e shumë profesionistë të tjerë”, vlerëson deputetja.

Sipas saj, stagnim të plotë ka në diplomaci, teksa Kosova ka aplikuar vetëm për anëtarësim në BE dhe KE por që nuk arriti të sjell asnjë njohje këtë vit.

“Në diplomaci kishte stagnim të plotë, përveç aplikimit për anëtarësim në BE dhe KE, kjo qeveri nuk ka arritur të sigurojë asnë njohje të re për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Nuk kishte as anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, përmes të cilave do të faktorizohej vendi më shumë në arenën ndërkombëtare. Të vetmen arritje për të cilën kjo qeveri akoma flet me mburrje është ajo për shkarkimet e Ambasadorëve dhe stafit diplomatik, duke tentuar kështu ta shesin këtë si sukses para qytetarëve sepse kanë dështuar të bëjnë më shumë. Por në realitet këto shkarime që u pasuan me emërime në diplomaci, përbëjnë shkelje ligjore sepse ky proces ka ndodhur pa ndonjë vlerësimi për punën e tyre. Madje ka pasur mungesë të transparencë në emërimin e Ambasadorëve të rinj. Nuk dihet as cilat kanë qenë kriterët e përzgjedhjes së tyre, për të cilat është mirë të jepni sot një sqarim para qytetarëve”, thekson Krasniqi.

Deputetja e LDK-së thotë se Kurti e shfrytëzoi diasporën për vota dhe nuk bëri asgjë për të.

“Në krye të Qeverisë kemi një njeri i cili e ka shfrytëzu diasporën veç për vota, sepse nuk është bërë asgjë për ta. Prej kur e ka marrë drejtimin e shtetit asnjë prej atyre që janë në diasporë nuk janë kthyer e integruar në vend. Ka ndodhur e kundërta. Asnjë investitor i huaji nuk ka ardhë për gjatë kësaj kohe për të hapur kompani e krijuar vende të punës, çka do të ndikonte në përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend, e cila çdo ditë e më shumë po vjen duke u rënduar”, shton ajo.

Andaj, sipas saj, kjo qeveri nuk e ka prioritet politikën e jashtme.

“Duke analizuar të gjitha këto dështime, ne kuptojmë se kemi të bëjmë me një qeveri e cila nuk e ka në prioritet politikën e jashtme, e ky argument bëhet edhe më i fortë kur e sheh nivelin e përfaqësimit në diplomaci, ku prodhohen skandale e nuk flitet për të arritura”.

Krasniqi ka folur dhe për dialogun me Serbinë, në të cilin thekson se Kurti ka shkelur parimet e tij sa ishte në opozitë, derisa ndryshoi krejtësisht kur erdhi në pushtet.

“I gjithë procesi i dialogut me palën serbe është përcjellur me mungesë të transparencës dhe me një qasje të gabuar. Z. Kurti ka shkelur edhe parimet e tij dhe të subjektit që e drejton, sepse sa ishte pjesë e opozitës, deklaroheshin se dialogu duhet të jetë i hapur, ndërkaq tani ne shohim se po ndodh e kundërta. Pati thënë se nuk takohet me Vuçiqin pa kërkim falje, por pasi erdhi në pushtet u takua pa asnjë kusht, hoqi dorë nga konfiskimi dhe gjobat për targat, madje, për me keq e negocioi në tavolinë me Vuçiqin vendimin e Qeverisë së Kosovës. Po ashtu vlen të kujtohet se ishin zotuar se kur të vijnë në pushtet, dialogun do ta nisin “nga poshtë”, duke aluduar kështu tek serbët lokal, për të vazhduar me “ata lart”, siç deklarohej dikur z. Kurti, për dialogun me drejtuesit e shtetit serb, por pasi erdhën në pushtet me nxitim e nisën dialogun”, deklaron ajo.

Krasniqi shton se LDK çdoherë ka qenë për dialog por që ai të përmbyllet dhe jo të vazhdojë pafund.

“Ne si LDK çdoherë kemi qenë për dialog, por jo për një dialog pa fund. Është e rrugës që qeveria të prezantojë strategjinë e për mbylljen e dialogut, si dhe përiudhen kohore kur parashihet të përfundojë kjo çështje. Në rrethanat aktuale, kur kemi zhvillimet të shumta gjeopolitike pas invazionit ushtarak rus në Ukrainë, Kosova nuk duhet ta humb rastin pa adresuar çështjet thelbësore për vendin, siç është zbardhja e fatit e të pagjeturve dhe pastaj të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme e cila krijon njohjen reciproke mes dy vendeve”, potencon Rrezarta Krasniqi.

Deputetja thotë se marrëveshja me Serbinë duhet të ketë njohje të ndërsjellë.

“Çdo marrëveshje tjetër, pa njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e papranueshme dhe konsiderohet e dëmshme për vendin”.

Ajo ka kritikuar Qeverinë edhe për nepotizëm, e që tani po i terrorizon qytetarët me xhipat e zinj dhe po i diskriminon komunat nga buxheti i shtetit.

“Nepoztizmi dhe kapja e shtetit s’ka qenë kurrë më e theksuar se sa në këtë përiudhë të qeverisjes nga partia e shpresës, e cila nuk po arrin as t’i furnizojë spitalet me pej kirurgjik. Dikur z. Kurti i akuzonte udhëheqësit e kaluar për xhipat e zi zyrtar, sot ata i terrorizojnë qytetarët në rrugë. Buxhetin për investime kapitale e ka orientuar vetëm në komunat ku qeverisë Vetëvendosje, duke diskriminuar kështu qytetarët e Komunave tjera”, përfundon deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.