Kosova viteve të fundit po përballet me fenomenin e ikjes së qytetarëve të saj nga vendi, të cilët si synim po kanë shtetet perëndimore. Ky interesim për migrim jashtë vendit po rritet çdo ditë e më shumë. Tashmë ky fenomen ka filluar të shihet si shqetësues e mjaft problematik për shoqërinë kosovare.
Sipas sociologëve dhe psikologëve konsiderohet se ky fenomen po ndodh për shkak të disa faktorëve siç janë mungesa e perspektivës, kushtet jo të kënaqshme në punë, por edhe mungesa e besimit në institucione.
Sociologu Ferdi Kamberi, thotë se fenomeni i migrimit ka ekzistuar çdo herë, por që njerëzit siç tha ai, migrojnë për shkaqe e rrethana të ndryshme.
“Migrimi nuk është i ri dhe ai ka ekzistuar çdo herë për shkaqe dhe rrethana të ndryshme. Njerëzit migrojnë për disa shkaqe apo rrethana, ndër to: gjetja e një perspektive më të mirë në një vend apo shtet tjetër, edukimi – arsimimi, bashkimi familjar, pasiguria sociale, azili politik, rrezikimi i jetës në vendin e origjinës, faktorët socio-ekonomik, përfshirë papunësinë e lartë e cila ka reflektuar në një varfëri të lartë, ndryshimet dhe zhvillimet globale, si dhe faktorë të tjerë”, tha ai.
Sipas tij, ka disa faktorë që po ndikojnë në rritjen e migrantëve drejtë vendeve perëndimore, madje Kamberi e cilëson si sinjal për institucionet e vendit marrjen e masave adekuate, për të mos arritur deri te plakja e popullsisë.
“Në Kosovë, viteve të fundit ka pasur një fluks të rritjes së migrantëve për në vendet tjera, sidomos në vendet perëndimore dhe një prej faktorëve padyshim se ka qenë mungesa e një perspektive për të rinjtë në Kosovë, si dhe shkaqet socio – ekomomike, standardi i ulët i jetesës, papunësia, varfëria, mungesa e profileve adekuate, bashkimi familjar, mungesa e sigurimeve, sëmundjet e ndryshme të cilat nuk gjejnë kurim në Kosovë, si dhe faktorë të tjerë. Ky trend i lëvizjeve të popullsisë i cili nuk është prezent vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet tjera, është shqetësim serioz dhe një sinjal për institucionet e vendit që nëse nuk marrin masa adekuate, minimizimin e këtij fenomeni, padyshim se do të përballemi me mungesë të fuqisë punëtore, pasi të rinjtë janë mosha kryesore e cila po migron, pastaj do të kemi probleme të theksuara në rënien e natalitetit dhe në rritjen e plakjes së popullsisë”, tha ai.
Gjithashtu edhe sociologu, Bajram Luzha, thotë se ndikimi i migrimeve në shoqërinë kosovare vërehet në strukturën e popullsisë, e cila më pastaj siç tha ai qon edhe drejt plakjes demografike të popullsisë.
“Migrimi paraqet një fenomen tejet të dukshëm ne shoqërinë kosovare. Zakonisht pjesa më e madhe e atyre që largohen apo synojnë largimin nga Kosova jane te rinjte, te cilët deshirojne një të ardhme më të mirë. Thënë kjo, i kemi dy aspekte që duhet të përmenden. E para ka te bëjë me faktorët dhe e dyta me ndikimin e migrimeve në shoqëri. Faktorë qe mund te permenden jane: mungesa e perspektives, papunesia, niveli i larte i varferise, kushtet jo te kenaqshme ne punë (për ata që janë në gjendje pune por synojnë largimin), mungesa e besimit në institucione (qëndrore dhe lokale) etj. Ndikimi i migrimeve vërehet shumë në strukturen e popullsisë. Pasi të rinjtë janë ata që po migrojnë më shumë, ndryshon mosha mesatare e popullsisë, shto kësaj faktin e uljes së natalitetit, janë aspekte që qojnë drejt plakjes së popullsisë”, tha ai.
Në anën tjetër psikologu Rron Kastrati, po e sheh largimin e të rinjëve nga Kosova si demotivues për strukturat sociale të shoqërisë.
“Sipas pikëpamjes psikologjike largimi i të rinjëve jashtë vendit deformon dhe ngushton shpresën e shumë të tjerëve që po avansojnë në procese studimore, adoleshentëve që janë para-përcaktimit drejt fazës universitare. Njëkohësisht ky fenomen demotivon strukturat sociale të shoqërisë dhe ndikon në kuptimin ekzistencial të të rinjëve, duke i nxitur të luftojnë për një mbijetesë rutinore në pamundësi për ta zgjeruar zonën ekzistenciale dhe esenciale të jetës së tyre me preferencat, ëndrrat, synimet e mirqena”, tha ai.
Madje sipas Kastratit, ky fenomen po e shpërfaq depresionin kolektiv të shoqërisë kosovare.