Ngadalësimi të rritjes ekonomike në vend pritet të ketë edhe gjatë këtij viti si rrjedhojë e inflacionit të lartë dhe çrregullimeve që ka shkaktuar agresioni i Rusisë në Ukrainë.
Ndërsa, në Institutin Riinvest, vlerësojnë se në publikimin e fundit të Bankës Botërore, projeksionet për rritje ekonomike në dy vitet në vijim janë relativisht të ulëta. Sipas Bankës Botërore, rritja e Bruto Produkti Vendor për vitin 2023-2024 pritet të jetë 3.7 – 4.2 për qind. Madje, Banka Botërore paralajmëron për një recesion të mundshëm global këtë vit.
Drejtori programor në Institutin Riinvest, Visar Vokrri thekson për KosovaPress se rritja ekonomike deri në 4 për qind është e ulët për zhvillim ekonomik dhe punësim.
Vokrri thekson se edhe në vitin 2023 inflacioni pritet të jetë i lartë, por jo dyshifror. Teksa ka thënë se për ta zbutur inflacionin, qeveria ka vetëm një instrument, atë për politika fiskale.
Vokrri: Projeksionet e BB për rritje ekonomike janë relativisht të zymta
Video
“Efektet e ngjarjeve kryesore ekonomike në vitin që sapo kemi lënë pas, po shihen dhe do të vihen re edhe në vitet në vijim. Në publikimin e fundit të Bankës Botërore, projeksionet për rritje ekonomike në dy vitet në vijim janë relativisht të zymta. Pra, nga një rritje ekonomike që e kishim dyshifrore për herë të parë, edhe pse pas një viti pandemik, kjo shifër nuk duhet të na mashtrojë, sepse ka ardhur kryesisht për shkak të efektit bazë që ka qenë në vitin paraprak (2020). Tani projeksionet për vitin 2023-2024 janë që Kosova të ketë rritje 3.7 për qind respektivisht 4.2 për qind të ekonomisë së Kosovës. Gjithsesi se këto shifra shpërfaqin gjendjen në të cilën gjendet dhe krizat e njëpasnjëshme që na kanë shoqëruar gjatë këtyre viteve”, thekson Vokrri.
Vokrri thekson po ashtu se çmimet në Kosovë janë tejet të larta si rrjedhojë e inflacionit që është importuar nga vendi.
Vokrri: Presim edhe këtë vit një ngadalësim të rritjes ekonomike
Video
“Tanimë kemi parë që çmimet janë rritur shumë si rezultat i inflacionit që kemi kryesisht të importuar. Tani çka presim këtë vit, më 2023, është që të kemi një ngadalësim të rritjes ekonomike ashtu edhe qysh po i shohim projeksionet e Bankës Botërore. Pra, ngadalësim për shkak të një seri masash që janë ndërmarrë në vendet e Bashkimit Evropian. Si masë adresimi në mënyrë të përkohshme rritjen e çmimeve apo inflacionin e lartë, vendet e Eurozonës janë fokusuar kryesisht në masat e karakterit monetar ose politikave monetare. Kanë ndërmarrë masa shtrënguese duke e rritur normën bazë të interesit nga Banka Qendrore Evropiane, e cila është reflektuar edhe në rritjen e normave të interesit nga bankat komerciale në Evropë. Rritje, kjo e cila filluar të reflektohet edhe në Kosovë”, thotë ai.
Vokrri po ashtu ka thënë se pritjet janë që inflacioni të stabilizohet në vitin 2024.
Vokrri: Edhe më 2023 inflacioni do të jetë i lartë, por jo dyshifror
Video
“Pritjet janë që inflacioni të stabilizohet diku në vitin 2024 të kthehet pak a shumë në periudhën para krizës së çmimeve. Kështu që norma e inflacionit t’i përafrohet 2 përqind dhe është një target që Bashkimi Evropian gjithmonë e synon. Pra, mos të ketë një rritje më të lartë se 2 për qind të çmimeve. Edhe në këtë vit eventualisht mund jetë inflacioni i lartë, por jo dyshifror. Fatmirësisht në këtë rast një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe në Kosovë, pasi që inflacionin në masë të madhe e kemi të importuar. Investimet në sektorin privat pritet të bien në Evropë, nga shumë do të ndodhë edhe në Kosovë, duke pasur parasysh koston më të lartë të kapitalit si rrjedhojë e rritjes së normave të interesit”, thotë ai.
Ndërkaq, për të zbutur ndikimin e inflacionit, Qeverisë së Kosovës e vetmja mundësi i mbetet ndryshimi i politikave fikskale, në këtë rast, ulja e TVSh-së dhe akcizës, pasi që Kosova nuk ka instrument të politikës monetare.
Vokrri: Për ta zbutur inflacionin, i vetmi instrument qeverisë i mbetet politika fiskale
Video
“Duke qenë që ne nuk kemi instrument të politikës monetare, qeverisë i vetmi instrument dhe mekanizëm i mbetet politika fiskale dhe përmes saj të zbusë sado pak gjendjen e rënduar si rezultat i rritjes së çmimeve. Konsideroj se duhet pasur kujdes fillimisht në dizjanimin e skemave që kanë për qëllim adresimin e kësaj krize. Dhe ato të mos jenë gjithëpërfshirëse, kështu që të jenë të fokusuar në grupet që janë më shumë të prekura, qoftë ekonomitë familjare dhe bizneset”, thekson ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2023 ka miratuar një pako për përballje me inflacionin në verë prej 150 milionë eurosh. Prej kësaj pako përfituan një numër qytetarësh, kryesisht familje me asistencë sociale, pensionistë, për punëtorë të sektorit publik dhe studentë.
Norma e inflacionit vjetor për dhjetorin e 2022 sipas Agjencisë së Statistikave është shënuar 12.1 për qind.