Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën, të parashtruar nga Avni Kastrati, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 22 shtatorit 2021.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me lirimin e parashtruesit të kërkesës nga detyra e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Sllovenisë nëpërmjet një dekreti të Presidentes së Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja konstaton se pasi gjykatat e shkallëve të tjera nuk ishin marrë me rastin, Kastrarit i është mohuar e drejte për “qasje në drejtësi” në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Gjykata, duke aplikuar këto parime në rrethanat e rastit konkret, konstatoi se dekreti i kontestuar i Presidentes për lirimin nga pozita të parashtruesit të kërkesës, ngërthente të drejta civile të parashtruesit të kërkesës dhe kontest apo mosmarrëveshje në kuptim të së drejtës për gjykimit të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për pasojë, dhe edhe duke u bazuar në dispozitat Kushtetuese dhe legjislacionin e aplikueshëm, i takon grupit të dekreteve të karakterit individual të cilat mund të kontestohen në gjykatat e rregullta”.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se hedhja poshtë e padisë së parashtruesit të kërkesës si e palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për “qasje në drejtësi” në cenim të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Avni Kastrati ishte emëruar Ambasador me dekret të ish-Presidentit të Republikës së Kosovës. Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Kastrati ka qenë Kryetar i Komunës së Mitrovicës, kryetar i Degës së PDK-së në Mitrovicë dhe anëtar i këshillit drejtues të kësaj partie.
Dymbëdhjetë ambasadorë të Kosovës që kanë qenë të angazhuar nëpër misione diplomatike nëpër botë, janë shkarkuar në maj të viti 2021 nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas kërkesës së Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Njoftimi:
Kundër dekretit të Presidentes, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit e kishte hedhur poshtë padinë si të palejuar, ndër tjerash, me arsyetimin se sipas dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative, një dekret i Presidentes nuk mund të jetë objekt vlerësimi në procedurën e konfliktit administrativ, por i njëjti mund t’i nënshtrohet vetëm procedurës së
vlerësimit të kushtetutshmërisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi se, duke mos vlerësuar ligjshmërinë e dekretit të kontestuar, gjykatat e rregullta kishin shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenet: 7 [Vlerat], 65 [Kompetencat e Kuvendit], 84 [Kompetencat e Presidentit], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës. Kjo sepse, mes tjerash, parashtruesit të kërkesës i ishte mohuar e drejta për të përdorur mjetet juridike efektive në gjykatat e rregullta për të mbrojtur të drejtat e tij subjektive.
Në adresimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht vlerësoi se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhej me të drejtën për “qasje në drejtësi”, si pjesë përbërëse e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht shtjelloi (i) parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me parimin e “qasjes në drejtësi”; (ii) juridiksionin e gjyqësorit rregullt dhe të saj, në trajtimin e akteve konkrete individuale në kuptim të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, me ç’rast, ndër tjerash, theksoi se ekziston një pozicion i qartë sa i përket funksioneve të gjyqësorit të rregullt dhe atij kushtetues, duke rikujtuar se i pari kujdeset për ruajtjen e supremacisë juridike të ligjit, përkatësisht të përputhshmërisë së akteve nënligjore me ligjin, ndërsa i dyti, përkatësisht Gjykata Kushtetuese, kujdeset për ruajtjen e supremacisë juridike
të Kushtetutës nëpërmjet kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve tjera me
Kushtetutën; dhe (iii) natyrën/karakterin e akteve juridike, me theks të posaçëm të
dekreteve presidenciale me karakter individual përmes të cilëve mund të afektohen të drejtat
dhe liritë e individëve të caktuar, rrethana këto në të cilat, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, legjislacionin e aplikueshëm por edhe praktikën gjyqësore të
Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të shumicës së shteteve anëtarë të
Forumit të Komisionit të Venecias, palët e afektuara kanë të drejtë të përdorin mjetet
juridike në gjykatat e rregullta, përveç kur një mundësi e tillë kufizohet specifikisht me ligj
dhe një kufizim i tillë është i justifikueshëm.
Gjykata, duke aplikuar këto parime në rrethanat e rastit konkret, konstatoi se dekreti i
kontestuar i Presidentes për lirimin nga pozita të parashtruesit të kërkesës, ngërthente të
“drejta civile” të parashtruesit të kërkesës dhe “kontest” apo “mosmarrëveshje” në kuptim të
së drejtës për gjykimit të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës
dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për pasojë, dhe edhe
duke u bazuar në dispozitat Kushtetuese dhe legjislacionin e aplikueshëm, i takon grupit të
dekreteve të karakterit individual të cilat mund të kontestohen në gjykatat e rregullta.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se hedhja poshtë e padisë së parashtruesit të kërkesës si e
palejuar, i kishte pamundësuar atij të drejtën për “qasje në drejtësi” në cenim të të drejtave
të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat
e Njeriut.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata
konkludoi se, Aktgjykimi [ARJ.nr.84/2021] i Gjykatës Supreme, i 22 shtatorit 2021,
Aktvendimi [AA.nr.612/2021] i Gjykatës së Apelit, i 13 korrikut 2021, dhe Aktvendimi
[A.nr.1297/2021] i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i 1 qershorit 2021, nuk janë në
përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës
në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të
Drejtat e Njeriut.