KQZ-ja merr vendim se si do të ndahen 4.2 milionë euro për subjektet politike parlamentare

Katër milionë e dyqind mijë euro është shuma e përgjithshme e mjeteve që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’ua shpërndarë subjekteve politike që në zgjedhjet të përfaqësuara në Kuvend.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se këto mjete ndahen duke u mbështetur në ligj për financimin e subjekteve politike dhe rezultatet e certifikuara në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“KQZ-ja, duke u mbështetur në ligjin për financimin e subjekteve politike si dhe në rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur më 14 shkurt 2021, mori vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023. Shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme: 4,200,000.00 €”, tha Elezi pas marrjes së këtij vendimi.

Sipas të dhënave të ofruara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje që ka numrin më të madh të deputetëve do të përfitojë më së shumti nga ky fond, më shumë se 2 milionë euro. Pas saj renditen PDK-ja me 665 mijë euro, LDK-ja me 525 mijë euro e AAK-ja me 280 mijë euro. Ndërkaq, nga subjektet politike të komuniteteve joshumicë, më së shumti do të përfitojë Lista Serbe me 9 deputetë, 315 mijë euro, KDTP-ja 70 mijë euro dhe nga 35 mijë euro subjektet politike si GI Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Koalicija VAKAT, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Romani Iniciyativa, Nova Demokratska Stranka, Socialdemokratska Unija, Jedinstvena Goranska Partija, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.