/

Lajçak pas takimit me Kurtin: Kemi pritur mirëkuptm më të madh

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka quajtur jo të lehtë, por të sinqertë dhe hapur takimin e sotëm me kryeministrin, Albin Kurti. Megjithatë, ai ka thënë se ka pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron propozimi i BE-së për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pas takimit mbi dy orësh të pesë emisarëve ndërkombëtar me kryeministrin Kurti, vetëm Lajçak u prononcua shkurtazi para mediave.

Ai tha se BE-ja dhe ShBA-të janë të angazhuara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak: Takimi nuk ishte i lehtë, por i sinqertë dhe i hapur

Video:

“Ne kemi ardhur sot këtu me një delegacion shumë të fuqishëm nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësues të lartë diplomatikë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, që është një sinjal në vetvete se ne jemi shumë të përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të gjitha këto fuqi e kanë hedhur peshën e tyre në këtë nismë. Dhe sigurisht, qëllimi i këtij takimi me kryeministrin Kurti ishte që të diskutohej propozimi për normalizim që ia kemi paraqitur në shtator, e më pas në dhjetor. Ne kaluam më shumë se dy orë në takimin me Kryeministrin, gjë që tashmë ju tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë, shumë i hapur”, tha ai.

I dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun, shtoi se në këtë pikë, ka pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron propozimi i BE-së për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Lajçak: Kemi pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim

Video:

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike sepse siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë tani për në Beograd, pra, nuk mund të them shumë. Ajo që megjithatë dua të them në këtë pikë është se ne kemi pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim, shpresoj se do të arrijmë aty, në kuptimin e plotë dhe përdorimin e plotë të potencialit të këtij propozimi, ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, shtoi Lajçak.

Gjatë takimit me Kurtin, përveç Lajçak, ishte edhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sidhe këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne dhe këshilltari diplomatik i kryeministres së Italisë, Francesco Maria Talò.

Pas takimit me Kurtin, emisarët ndërkombëtar do të udhëtojnë për në Beograd, ku pritet të takohen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.