Gazetarët e akredituar në Qeverinë e Kosovës e kanë bojkotuar konferencën e paraparë të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në shenjë pakënaqësie me “vonesat e vazhdueshme” të ministrave të kabinetit qeveritar.
Pas mbledhjes së ekzekutivit, ishte paraparë që Murati të mbajë një konferencë shtypi, por gazetarët pasi kanë pritur për gati një orë vendosën të largohen.
Gazetarët e pranishëm kanë shprehur mllefin me mosrepektin ndaj medieve nga kjo qeveri, pasi nuk është hera e parë që gazetarët lihen të presin pa kurrfarë shpjegimi.
Arsyeja që është dhënë për vonesën ka qenë që ekzekutivi ka pasur një takim të brendshëm.