/

Prishtinë: Gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 3 vjeç do të vizitohen në shtëpi nga mjeku

Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës në bashkëpunim me zyrën e UNICEF-it në Kosovë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe AMC kanë hapur zyrtarisht programin “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijë 0-3 vjeç”.

Aty u tha se qëllimi i programit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijë 0-3 vjeç”, është mbrojtja dhe avancimi i shëndetit të nënave dhe fëmijëve dhe mirëqenia e tyre, me fokus në kujdesin gjatë shtatzënisë dhe pas saj te gratë dhe fëmijët në zona rurale dhe në komunitete të margjinalizuara.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se shëndetësia mbetet prioritet i Qeverisë. Ai e konsideroi si të rëndësishme këtë ngjarje, me ç’rast falënderoi edhe partnerët strategjikë.

“Është një ngjarje e jashtëzakonshme ku Ministria e Shëndetësisë me partnerë strategjikë si Qeverinë e Luksemburgut dhe UNICEF-in, nis programin për vizita në shtëpi për nëna dhe fëmijë të moshës nga 0-3 vjeç që pothuajse në secilën Komunë është e shpërndarë. Kam kënaqësinë që në fund me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me partnerët strategjikë dhe me kryetarin e Prishtinës, Rama do të fillojnë edhe në Komunën e Prishtinës që do të thotë shumë edhe për fëmijët e moshës 0 në 3 vjeç por edhe për nënat lehona në komunën e Prishtinës”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky sistem është bazuar në atë britanik. Synim tha se e kanë parandalimin e ndonjë problemi shëndetësor që mund të kenë lehonat dhe fëmijët.

Rama ka thënë se ky program do të ndikojë në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve.

“Sot kemi përuruar fillimin e përkujdesjes për nënat shtatzëna me fëmijë dhe para lindjes edhe pas lindjes. Pra prej tash do të kemi ekipe tona të cilat kanë me bë vizita tek nënat me fëmijë prej 0 deri në 3 vjeç. Pra kemi me pas deri në shtatë vizita prej infermierëve, mjekëve tanë të sistemit parësor. Ky është një zhvillim shumë i mirë shumë pozitiv për kryeqytetin për të gjitha nënat dhe fëmijët e kryeqytetit. Është i bazuar në sistemin britanik faktikisht i sistemit parësor që parandalon ndonjë problem potencial që mund të kenë fëmijët ose edhe në aspektin e edukimit  të nënave të reja se si me  ju qas kujdesit për fëmijët  e tyre dhe normal me i parandalua ndonjë problem potencial shëndetësor pran dëgjimin apo pamjen apo alergjitë e ndryshme apo edhe mënyra se si ushqehen”, tha ai.

Programi ka filluar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku me këtë rast, është realizuar vizita e parë në shtëpi dhe gjithashtu do të bëhet pranimi i një veture e cila dhurohet nga UNICEF-i si mbështetje për realizimin e këtij programi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.