Gashi: Nuk mbahet shteti me vitra, kjo është politikë e zjarrfikjes

Ish-zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Qeverisë për ndarjen nga 50 euro për muajin janar, për punonjësit e sektorit publik.

“Kjo është qesharake. Nuk mbahet shteti me vitra. Nuk e di a e dijnë Hekurani & company se aq shumë janë rritur problemet financiare tek qytetarët saqë kam frikë për një moment shpërthimi kur çdo gjë që ka të bëjë me politikën pastaj do të jetë e vonshme, e pavlerë”, tha Gashi për “Radio 1”.

Gashi për 5 vite ka qenë edhe zv.guvernator i BQK-së, ndërsa aktualisht drejton Degën e AAK-së në Pejë. Ai ka theksuar se Qeveria Kurti duhet t’i ndalojë këto aventura financiare.

“Unë sinqerisht ende po besoj se ka burra e gra në qeveri që e dijnë se janë gabim. Tani sa kanë fuqi ta ndalin këtë trend, nuk jam i sigurt. A e shohin ata që kjo që po bëjnë me popullin, është politikë e zjarrfikësve. Interveno këtu me 50 euro, shto aty 100 euro. Lëre atë, merru me këtë kategori. Këtu u ndez, hajde nga 50 euro. Këto gjëra, një qeveri serioze i kryen me skema organizative, stabile, bazuar në nevoja qytetare dhe financa. Mbetem i befasuar keq nga këto vendim”, tha Gashi.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, mori vendim që të vazhdojë ndarjen e mjeteve për punëtorët e sektorit publik në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin me nga 50 euro për muajin janar për punëtorët e sektorit publik.

Vendimi ka nxitur reagimin e ashpër të sindikatave dhe të përfaqësuesve të sektorit privat, për shkak të diskriminimit të punonjësve në privat, shumica prej të cilëve marrin rroga më të ulta.

Leave a Reply

Your email address will not be published.