Rritja e tatimit në pronë – Murati nesër raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere

Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të premten do të raportojë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere. Temë diskutimi do të jetë “Rritja e vlerës së faturave të tatimit në pronë”.

Rritja e faturave të tatimit në pronë, u kritikua nga qytetarët dhe nga partitë opozitare. Ankesa pati edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), të cilët deklaruar se këtë vendim e ka marrë niveli qendror.

Rritja e tatimit në pronë, përplasi ditën e djeshme deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami me ministrin Murati. Ky i fundit tha se “në të kaluarën ka pasur raste të nënvlerësimit të pronave”. Madje sipas Muratit komunat kanë qenë të pajtuara me këtë vlerësim.

Ndërkohë, qytetarët e intervistuar, kishin deklaruar se rritja e tatimit në pronë është goditje e rëndë për buxhetin e shumicës së familjeve, në këtë kohë të shtrenjtimeve dhe krizës së rëndë ekonomike.

Disa nga qytetarët, me të cilët kemi biseduar të mërkurën , pasi kishin paguar tatimin në pronë në sportelet e ndërtesës së re të Komunës në Arbëri, thanë se kanë vërejtur se ka dyfishim të faturës, e në disa raste shtrenjtim edhe mbi 150 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Madje një prej tyre tregoi se për vitin 2022 kishte paguar 460 euro faturën e tatimit në pronë, ndërsa për 2023-ën u detyrua të paguajë më shumë se dyfish. Ai tha se për pronën e njëjte paguajti 952 euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published.