Për të shpëtuar nga dënimi me varje, ndërtoi xhami

Xhamia e fshatit Marali të komunës së Malishevës, daton qysh nga shekulli XV.

Viti i ndërtimit të kësaj xhamie thuhet të jetë viti 1528, e që i bie mu në periudhën kur ka qenë në fron Sulltani Osman Sylejman Kanuni,

pasi që ai ushtroi detyrën e sulltanit mes viteve 1520-1566. Historiku i kësaj xhamie dallon me xhamitë e tjera të zakonshme që janë ndërtuar.

Duke filluar nga ndërtimi i saj mund të shohim se kjo xhami nuk është ndërtuar as për të përhapur islamin e as për bamirësi.

Kjo xhami u ndërtua për të shpëtuar jetë. Sipas një rrëfimi që dëgjuam nga imami i kësaj xhamie,

gjatë xhirimit të emisionit “Fshati jonë” në kuadër të televizionit DTV mësuam se si rrodhën gjërat e ndërtimit të kësaj xhamie.

Ai tha se njëri nga të parët e tyre, aso kohe, flasim për shekullin 15, kishte kryer një vepër penale dënimi i së cilës ishte me varje në litar.

Personi në fjalë për të shpëtuar nga fajësia dhe për ta shpëtuar jetën e tij kishte kërkuar zgjidhje në të gjitha anët.

Më në fund stepet për muri dhe gjëja e fundit që ai do të provonte ishte këshillimi me një nga hoxhallarët më të njohur të asaj kohe.

Pas këshillimit me të, hoxha e këshillon të fillon ndërtimin e një xhamie. Kjo ishte mënyra e vetme që ai t’i shpëtonte dënimit me vdekje.

Pashai i kohës që po ushtronte detyrën në ato troje të rrethinës së Kosovës gjegjësisht rrethit të Malishevës i kishte dërguar tre herë letër thirrjeje për ekzekutim.

Kur nuk iu përgjigj as letrës së tretë, pashai kishte mbledhur ushtrinë e tij dhe kishte shkuar tek personi në fjalë.

Në ndërkohë personi në fjalë pa humbur fare kohë, kishe filluar ndërtimin e xhamisë. Kur arrin tek ai, pashai e pyet se përse nuk i ishte përgjigjur thirrjeve.

Unë kam filluar të ndërtoj xhami, ia kishte kthyer ky. Dhe për t’u vërtetuar mirë, pashai kalon në vendin ku po ndërtohej xhamia dhe pasi që sheh se nuk po e gënjente, ia fali jetën.

Thuhet se nga ngutia që personi në fjalë kishte filluar të ndërtonte xhaminë nuk ia kishte qëlluar sa duhet në matjet e tij dhe xhamia nuk është e kthyer në anën e kiblës.

Pra, kjo xhami u nis të ndërtohet me nguti për të shpëtuar jetën dhe u arriti qëllimi i ndërtimit të saj, mirëpo ata që mbase pësuan nga ky fenomen mbeten xhemati

që tashmë sa vite falen në drejtim jo të saktë kiblik, Megjithatë, lakimi i vogël i anës kiblike nuk ia humbi rëndësinë kësaj xhamie,

e cila ndër shekuj u ka shërbyer besimtarëve të fshatit.

 

/DTV/FatijonaBajraj/

Leave a Reply

Your email address will not be published.