Policët: Më shumë na i ulën sesa na i rritën pagat

Policia e Kosovës nuk është e kënaqur me pagat e reja.

Edhe pse Qeveria e Kosovës tha se, përmes Ligjit të ri për pagat në sektorin publik, rriti pagat e zyrtarëve policorë, nga Policia e Kosovës thonë se, me ligjin e ri, për disa pjesëtarë madje parashihet edhe ulja e pagave.

Më 1 shkurt, ekzekutivi njoftoi se vlera e koeficientit të pagave do të jetë 105 euro.

Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18.

Rreth 83 mijë punonjës të sektorit publik marrin pagë nga buxheti i shtetit. Me koeficientët e rinj, Qeveria ka thënë se synon të krijojë barazi në mesin e shërbyesve publikë.

Policia e Kosovës numëron një staf prej afër 10 mijë personash. Koeficientin më të lartë e ka drejtori i Përgjithshëm (14.5), kurse më të ulëtin (2) e kanë kadetët policorë. Besohet se pjesa më e madhe e pjesëtarëve në Policinë e Kosovës kanë pozitën polic i lartë, koeficienti i së cilës është 5.9, që përkthehet në pagë bazë prej 619 eurosh.

Drejtuesi i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se me koeficientët e rinj, Qeveria ka bërë rritje minimale të pagës bazë, prej 20 deri në 60 euro, për disa kategori brenda Policisë. Por, në anën tjetër, thotë se janë ulur shumë paga.

“Paga bazë e një polici të lartë që, për shembull, punon në NJSI [Njësia Speciale Intervenuese], është 702 euro [392 pagë bazë, plus 310 euro shtesa]. E tash, më shumë është 702 apo 619 euro? Pse po e them këtë? Gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë euro është në bazë të koeficientit të ri, pjesën tjetër shtesë, te Policia e Kosovës, me Ligjin e ri të pagave e kanë zvogëluar, për të mos thënë e kanë hequr krejt, e kanë lënë vetëm 1 për qind të buxhetit [të Policisë së Kosovës], që nuk mbulon asgjë, e që policin e lë pa shtesa edhe për rrezikshmëri”, thotë Zeqiri.

Ai thekson se te disa kategori të zyrtarëve policorë ka ulje të pagës.

“Te shumica e kategorive, qoftë te hetimet, qoftë te njësitë e specializuara apo kategoritë tjera, te një numër i konsiderueshëm, ka zbritje, nuk ka ngritje të pagës. Tek ata që ka ngritje, ngritja më e madhe mund të jetë deri në 50-60 euro”, thotë ai.

Rritet paga bazë, por ulen shtesat
Deri më tani, pagat bazë në shumicën e kategorive kanë qenë më të ulëta, krahasuar më këto që i ka prezantuar Qeveria e Kosovës me Ligjin e ri për paga.

Megjithatë, zyrtarët policorë kanë marrë më shumë pagë, pasi kanë pasur edhe shtesa të tjera, si ajo e përvojës së punës, për rrezikshmëri, për punë jashtë orarit dhe për punë në ndërrimin e natës.

Ligji i ri, i prezantuar nga Qeveria, rrit pagën bazë, por pritet të zvogëlojë vlerën e shtesave, pasi aty thuhet se për këto shtesa mund të shfrytëzohet vetëm 1 për qind e buxhetit të Policisë së Kosovës.

Buxheti vjetor i Policisë së Kosovës për 2023 është mbi 115 milionë euro, ndërsa 1 për qind e këtij buxheti është 1.1 milion euro.

Ky buxhet për shtesa, sipas Zeqirit, nuk mjafton as për një muaj.

Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për deklaratë lidhur me ndryshimin e pagave.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Policia e Kosovës nuk ka ofruar as të dhëna për numrin e zyrtarëve, të cilët preken si nga ulja, ashtu edhe nga rritja e pagës.

Përkundër kësaj, sipas Sindikatës së Policisë, dhe sipas ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili tani është deputet i partisë opozitare, Partisë Demokratike e Kosovës, numri më i madh i zyrtarëve policorë i takojnë kategorisë “polic i lartë”, e cila përbëhet nga policë që kanë pesë e më shumë vjet përvojë në këtë institucion.

Leave a Reply

Your email address will not be published.