Shpeshherë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e ngacmimet. Një rast i tillë është raportuar të dielën nga një 18-vjeçare në Obiliq, e cila e ka denoncuar në Polici ish të dashurin e saj.
Burimet nga Prokuroria bëjnë të ditur se viktima ka deklaruar në Polici se E.S., nuk po e lë rehat që kur janë ndarë para disa muajsh, duke e shqetësuar në vazhdimësi atë dhe familjen e saj. Bazuar në dëshminë e vajzës, qëllimi i të dyshuarit është që t’i njoftojë familjarët e saj se kanë pasur lidhje intime.
DTV mëson se motiv i rastit është xhelozia që ish i dashuri i 18-vjeçares ka, pasi kjo e fundit është martuar kur është ndarë prej tij. Martesën e saj siç duket nuk po e përballon, prandaj ka vendosur ta ngacmojë duke ia publikuar edhe fotot intime në rrjete sociale.
Përballë kësaj situate, vajza ka vendosur të kërkojë ndihmën e Policisë, duke e raportuar atë që kishte ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar më pas në stacion policor. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Ngacmim”.