39 vjeçari e sulmon me shufër metalike një të moshuar në Deçan

Një person i moshuar është dërguar në gjendje të rëndë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore të cilat dyshohet se i mori pas një sulmi fizik.

Burimet e DTV brenda Emergjencës kanë bërë me dije se pas dhënies së ndihmës së parë, 72-vjeçari është transferuar me urgjencë për në Spitalin Rajonal në Pejë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë deklaratën e viktimës për atë që ka ndodhur.

Bazuar në dëshminë e tij, derisa ishte duke ecur rrugës, një person të cilin e ka identifikuar, ka dalë nga vetura e tij dhe ka filluar që të fjaloset verbalisht. Pas kësaj, 39-vjeçari dyshohet se ka goditur të moshuarin me shufër metalike në pjesë të ndryshme të trupin, duke i shkaktuar atij lëndime serioze.

I dyshuari është vetdorëzuar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin. Po ashtu është sekuestruar edhe shufra metalike që dyshohet se u përdor në rast.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Leave a Reply

Your email address will not be published.