Vrasja e shtatzënës në QKUK, MD i dërgoi raportet te kryeprokurori i shtetit, policët ende nën hetime

Hamide Magashi 35-vjeçare u privua nga jeta bashkë me foshnjën e saj një ditë para se ta sillte në jetë, para objektit të Gjinekologjisë në QKUK, me 30 nëntor 2022. I dyshuari, ish-bashkëshorti i saj Sokol Halili, pas rreth 44 orësh në arrati kreu vetëvrasje në shtëpinë e tij në Shtime duke refuzuar dorëzimin në polici. Për vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë u la fajtor shteti, pasi e ndjera kishte edhe urdhër-mbrojtës sepse ishte viktimë e dhunës së vazhdueshme nga ish-burri. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, para familjes së të ndjerës është zotuar se “nuk do të do të lënë gurë pa lëvizur deri në zbardhjen e plotë të rastit”.

Ministrja Haxhiu ka deklaruar se secili që nuk ka kryer punën në bazë të kompetencave për rastin e Hamide Magashit do të ndëshkohet.

Por edhe pas më shumë se dy muajsh nga vrasja e saj, ende nuk është njoftuar për ndëshkimin e asnjë personi përgjegjës në rastin e shtatzënës së vrarë. Kemi vetëm një vendim të Inspektoratit Policor të Kosovës për suspendimin e katër zyrtarëve policorë (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues), për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare e falsifikim të dokumentit që ka të bëjë me zbatimin e urdhrit-mbrojtës për Hamide Magashin.

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se zyrtarët në fjalë ndodhen akoma nën masën e suspendimit dhe kjo masë do të vazhdohet deri në përfundim të procedurës hetimore.

Lidhur me rastin, IPK thotë se janë duke ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se zyrtarët policorë janë akoma të suspenduar. Rekomandimi për suspendim për këta zyrtarë është dhënë në interes të hetimit dhe si i tillë do të vazhdohet deri në përfundim të procedurës hetimore. Hetuesit e IPK-së janë duke ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se ministrja Haxhiu i ka dorëzuar te Kryeprokurori i Shtetit raportet që po i priste nga Inspektorati Shëndetësor e nga Qendra për Punë Sociale për rastin e vrasjes së 35-vjeçares.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se i kemi pranuar raportet dhe të njëjtat Ministrja Haxhiu i ka dërguar tek Kryeprokurori i Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konfirmuar pranimin e raporteve në fjalë dhe të njëjtat tha se i ka dërguar në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.

“Për çështjen për të cilën keni pyetur Ju informoj se shkresat e pranuara nga Ministria e Drejtësisë, pas shqyrtimit të tyre nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, janë dërguar tek autoriteti kompetent, respektivisht në Prokurorinë Themelore në Ferizaj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

DTV është në pritje të përgjigjes nga Prokuroria Themelore e Ferizajt lidhur me pranimin e këtyre raporteve dhe nëse është ndërmarrë ndonjë masë deri më tani.

Motrat e të ndjerës Hamide Magashi në kohën sa i dyshuari Sokol Halili qëndronte në arrati deklaruan për Gazetën Express se ndjehen të frikësuara të qëndrojnë në shtëpinë e tyre sepse i dyshuari i kishte kërcënuar me bombë.

Burbuqe Magashi, motra e të ndjerës, rrefente se ish-burri e kishte maltretuar vazhdimisht motrën esaj, e kishte ndalur Hamiden nga puna ku punoi rreth 15 vite duke e izoluar aq shumë saqë e ndjera kishte tentuar edhe vetëvrasjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.