Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Demaku, ka njoftuar se do të caktohet të bëhet një ekspertizë balistike jashtë shtetit për të vërtetuar se çfarë mjetesh kanë përdorur të akuzuarit në rastin ku për posedim të gazit lotsjellës në Kuvend po akuzohen ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu.
Sipas saj, duke u bazuar në sugjerimet e Apelit, Gjykata fillimisht ka urdhëruar Agjencinë e Kosovës për Forenzikë për një ekspertizë balistike, mirëpo në përgjigjen Agjencisë thuhet se në laboratorin e tyre nuk mund të behët ekspertizë e tillë për mjetet e gjetura tek të akuzuarit.
“Do të kërkohet ekspertizë jashtë shtetit meqenëse nuk bëhet në Agjencinë Kosovare të Forenzikës për mjetet e gjetura tek të pandehurit, dhe për të konstatuar se çfarë janë ato në të vërtetë”, tha gjykatësja Dermaku.
Paraprakisht, gjykatësja Dermaku palëve ua dorëzoi nga një kopje të përgjigjes së AFK-së, ku në këtë përgjigje thuhej se në laboratorin e tyre nuk mund të bëhet një ekspertizë e tillë.
Lidhur me këtë përgjigje, prokurori Ilaz Beqiri tha se zyrtarët e AFK-së qartë e kanë shpjeguar se nuk kanë pajisje që të bëhet ekzaminimi.
“Këtë fakt prokurori e ka dit qysh herët edhe për këtë se kam marrë këtë veprime, propozoi që të vazhdohet tutje me procedurën”, deklaroi prokurori Beqiri.
Sipas tij, tani i mbetet zbatuesve të ligjit që ta lexojnë dhe interpretojnë drejtë dispozitën e nenit ku përcakton se çka sipas Kodit Penal cilësohet armë.
Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.
Gjykata Themelore në Prishtinë në maj të vitit 2021, në mungesë të provave, të akuzuarit në këtë rast i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje. Kundër vendimit ishte ankuar Prokuroria.
Gjykata e Apelit të tetor të vitit 2022, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.