Mehaj takohet me homologun finlandez, temë diskutimi edhe bashkëpunimi për siguri

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot ka pritur në takim Ministrin e Mbrojtjes në detyrë të Finlandës, Mikko Savola.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se kanë diskutuar rreth situatës aktuale gjeopolitike.

“Sot prita në takim Ministrin e Mbrojtjes në detyrë të Finlandës , Mikko Savola me të cilin diskutuam rreth situatës aktuale gjeopolitike, impaktit të agresionit rus në Ukrainë, si dhe situatën e sigurisë në Kosovë, bashkëpunimin me KFOR-in e po ashtu për synimet tona të përbashkëta për anëtarësim në NATO”, shkroi ai.

Mehaj bëri të ditur se temë diskutimi ishte edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

“Gjithashtu temë diskutimi ishte edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë, trajnimet e përbashkëta dimërore ndërmjet dy forcave, dhe shkëmbimi i përvojës së Ushtrisë Finlandeze sa i përket konceptit të rezervës vullnetare, që së shpejti do të jetë formë e shërbimit edhe në ushtrinë tonë”.

“Ministrin në detyrë e njoftova për zhvillimin e FSK-së, implementimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit, si dhe gatishmërinë tonë për të ofruar gjithë ndihmën e mevojshme në misonet e NATO-s, ashtu siç kemi vepruar duke asistuar në operacionin për evakuimin e refugjatëve afgan, si dhe ofrimin e trajnimeve për ushtarakët ukrainas”, shkroi Mehaj.

Mehaj u shpreh se ministri Savola, vlerësoi lartë bashkëpunimin e FSK-së me KFOR-in.

“E ritheksova edhe një herë se synimi ynë është që të ofrojmë kontributin tonë në sigurinë e përgjithshme, andaj anëtarësimi në NATO, është objektivi ynë më i rëndësishëm. Në anën tjetër Ministri në detyrë Savola, vlerësoi lartë bashkëpunimin e FSK-së me KFOR-in dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin në një situatë kur synimi për anëtarësim në NATO, dhe ruajtja e stabilitetit e paqes mbeten përpjekjet kyqe të angazhimit ditor. Finlanda është shteti ynë mik me të cilët ndajmë vlerat demokratike, andaj bashkë jemi më të fortë”, ka shkruar tutje Mehaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.