Avokati i Familjes Dehari, Tomë Gashi ka thënë se prokuroria ka vepruar me standarde të dyfishta sa i përket ftesave për intervistim për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Ai ka thënë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli kishin thënë se Astrit Dehari ishte vrarë, por se nuk ishin ftuar për intervistim.
“Në televizione të ndryshme ka folur edhe Hashim Thaçi i cili ka deklaruar që rasti i Astrit Deharit është vrasje, disa vite pas vrasjes së Astrit Deharit. Prokurori as që ka guxuar dhe as që i ka shkuar mendja që ta thirrë Hashim Thaçin me marrë pyetje në cilësi të dëshmitarit… Të njëjtën gjë e ka bërë Kadri Veseli. Krejt i ki të publikuara. Kadri Veseli ka deklaruar që është vrasje, ai ka deklaru edhe në Parlament të Kosovës”, ka thënë Gashi.
Sipas Gashit, deputeti Haki Abazi po ftohet kur nuk ka asgjë për të thënë.
“Prokurori e ka obligim me thirr me thanë s’luan rol çfarë funksioni ki. Çfarë informacione ki dhe a mundesh me i ndihmu shtetit tënd me zbardhë këtë rast. Tash të njëjtën situatë e ka sjell edhe Haki Abazi. Për të po vlejka ligji i njëjtë po pak më ndryshe, prokuroria po e thirr. Ai ftohet pa thanë kurrgjë hiç konkrete e ata tjerët nuk ftohen”, ka deklaruar Gashi.