Shtëpitë e zhurmshme, me volum të lartë të televizionit apo zhurma e makinave nga jashtë, mund të pengojnë zhvillimin e të folurit dhe të lexuarit tek fëmijët, sugjeron një studim i ri. Hulumtuesit shkencorë kanë zbuluar se foshnjat e kanë të vështirë të mësojnë fjalë të reja kur ka zhurmë në sfond. Sipas tyre, nivelet e zhurmave në sfond mund të interferojnë tek aftësia e të mësuarit fjalë të reja. Klasat e zhurmshme gjithashtu mund të pengojnë zhvillimin e të folurit tek foshnjat, thonë studiuesit.
Në një artikull të publikuar tek revista “Zhvillimi i Fëmijës”, hulumtuesit shkencorë nga Universiteti Wisconsin-Madison thanë: “Të mësuarit e fjalëve të reja është një aftësi e rëndësishme që siguron një themel për aftësinë e fëmijës për të kryer shkollën. Shtëpitë moderne janë të mbushura me pajisje të zhurmshme, si televizor, radio etj, të cilët mund të ndikojnë tek mënyra si fëmijët mësojnë fjalë të reja që në moshë të vogël.
Autorët thonë se zhurma e lartë mund të ndikojë tek zhvillimi mendor i fëmijës.
Fëmijët që jetojnë në shtëpi të zhurmshme dalin me rezultate jo shumë të mira në shkollë dhe kanë nivele më të larta të hormonit kortizol të stresit në gjak, krahasuar me fëmijët që jetojnë në shtëpi më të qeta.
Pjesa më e madhe e studimeve të mëparshme janë kryer në kushte laboratorike. Ndërsa studimi i fundit u krye në ambientet ku njerëzit qëndrojnë më shumë, si shtëpi apo shkollë. Gjatë studimit u përfshinë mbi 100 fëmijë të moshave 22-30 muajsh. Ata morën pjesë në një eksperiment kur duhet të mësonin emrat e objekteve të panjohura.
Foshnjat fillimisht dëgjuan fjali që përmbanin dy fjalë të reja. Ata më pas mësuan cili objekt korrespondonte me emrin. Në fund foshnjave iu kërkua që të përsërisnin fjalët e reja. Gjatë dy eksperimenteve të para, 80 foshnje i mësuan fjalët ndërsa kishte zhurmë të madhe në sfond dhe kur ishte pak më qetë. Vetëm fëmijët e ekspozuar ndaj tingujve më të qetë në sfond arritën të mësonin fjalët e reja.