Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët.
Në mëngjesin e sotëm e kanë pësuar dy punëtorë që po kryenin punë ndërtimore në rrugën ‘Afrim Bytyqi’ në Prizren.
Burimet e DTV-së brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal të Prizrenit kanë bërë me dije se dy punëtorët janë dërguar atje, me ç’rast njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e frakturës në këmbë, ndërsa tjetri ka pësuar lëndime në bark.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetë, mirëpo njëri nga ta është hospitalizuar për të vazhduar trajtimin mjekësor të mëtutjeshëm nën përkujdesjen e mjekëve.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me Inspektoratin e Punës dhe të njëjtit kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Dyshohet se viktimat kanë rënë nga një lartësi, teksa po punonin në një shtëpi private.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.